Inspektorati ndalon punimet në gjashtë objekte ndërtimi në Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë

Inspektorati ka ndaluar punimet në gjashtë objekte ndërtimi në Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë.

Inspektorati Qendror i Punës ka nxjerrë vendime për ndalimin e përkohshëm të punimeve në këto objekte ndërtimi, pasi ka konstatuar parregullsi në lidhje me sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.

Njoftimi i plotë:

Inspektorati Qendror i Punës, gjatë inspektimeve në objekte ndërtimi, përkatësisht në tri objekte në komunën e Prishtinës, dy në komunën e Mitrovicës dhe një në komunën e Pejës, ka konstatuar parregullsi dhe mosmarrje të masave të nevojshme për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Për këtë arsye, Inspektorati Qendror i Punës ka nxjerrë vendime për ndalimin e përkohshëm të punimeve në këto objekte ndërtimi, deri në eliminimin e të gjitha mangësive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për zhvillimin e punës.

Inspektorati Qendror i Punës mbetet i përkushtuar në mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës dhe apelon te të gjithë punëdhënësit që të respektojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në vendin e punës.