Hiq më pak se 59 mijë e 576 euro nuk i kanë deklaruar fare, Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit të cilët mashtruan kështu Agjencinë Kundër Korrupsion në deklarimin e pasurisë për vitin 2022, duke nisur nga kryesuesi, zëvendës kryesuesja e shumica e anëtarëve të bordit, për pagat që marrin në këtë institucion.
Ky bord u zgjodh në krye të AKP-së, nga Kuvendi i Kosovës, vitin e kaluar nën qeverisjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ani pse vetë ai pati thënë se do ta shuaj, bordin fillimisht, e pastaj edhe AKP-në duke e quajtur institucion të hajnisë e krimit.
Madje Kurti kishte thënë për bordin e atëhershëm që kanë vjedhur shumë e që kjo qeveri nuk do ti lejojë të vjedhin tutje.
“Me AKP dhe ARKEP ne u dalim zot premtimeve tona për qytetarët, 50.28 për qind kanë votuar për fitoren tone, një fitore e paparë për Kosovën e pasluftës dhe kemi thënë që AKP do të shuhet dhe AKP do të shuhet, por që të shuhet AKP është e rëndësishme që njëherë të shkarkohet Bordi se ka vjedhur shumë, e ne nuk do t’i lejojmë”, pati thënë Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës.
Pavarësisht kësaj Nazmi Mikullovci ishte votuar si kryesues i AKP-së, ndërsa anëtarë të bordit ishin emëruar Suzana Dautaj-Surdulli, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi-Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muçolli dhe Avni Ajdini.
Mirëpo më ndryshe nuk po del të jetë as bordi që mori përkrahjen e kësaj qeverie.
Gazeta Infokus ka raportuar edhe më herët për pasurinë e majme të anëtarëve të bordit të AKP-së, kjo sipas deklarimit në Agjencinë Kundër Korrupsion për vitin 2022, por që po del se disa nga ata paguhen edhe më shumë se sa kanë deklaruar.
Gazeta Infokus ka hulumtuar pagat e deklaruara në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK), të secilit pjesëtar të bordit të AKP-së dhe ka kërkuar qasje në dokumente publike në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, për të ditur pagat e secilit prej pjesëtarëve të këtij bordi dhe ka gjetur se janë vetëm dy anëtare të cilët e kanë deklaruar pagën e tyre ashtu siç edhe paguhen nga AKP-ja.
Të gjithë të tjerët përfshirë edhe Kryesuesin e Bordit, Nazmi Mikullovcin i cili edhe ankohej publikisht për pagën e vogël që e marrin, e për të vazhduar edhe me zëvendës kryesuesen, Syzana Dautaj Surdulli të cilët kanë deklaruar rrejshëm pagën e tyre.
Gazeta Infokus në hulumtimin e saj ka gjetur se në vitin 2022, kryesuesi i Bordit të drejtorëve në këtë institucion ka deklaruar në AKK se paga e tij vjetore është 15 mijë e 350 euro e që në muaj ai ka deklaruar se merr vetëm 1 mijë e 279 euro.
Mirëpo pas kërkesës për qasje në dokumente publike drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit, del se Mikullovci si kryesues i bordit në AKP paguhet 2 mijë e 358 euro në muaj e që në vit ai merr 28 mijë e 304 euro.
Pra sipas vetë listës për paga të AKP-së, del se kryesuesi ka deklaruar se merr 12 mijë e 954 euro më pak në vit, se sa realisht paguhet.
Nazmi Mikullovci nuk është i vetmi që ka deklaruar rrejshëm të ardhurat mujore nga AKP.
Edhe zëvendëskryesuesja e bordit të drejtorëve, Suzana Dautaj Surdulli, del se ka deklaruar 12 mijë e 120 euro më pak në vit.
Sipas deklarimit në AKK, Surdulli ka thënë se paguhet 11 mijë e 670 euro në vit apo 972 euro në muaj.
Mirëpo sipas dokumentit të AKP-së, ajo si Zv. kryesuese e Bordit të AKP-së në vit paguhet 23 mijë euro ndërsa pagën mujore e ka 1 mijë e 982 euro.
E të njëjtën “metodë” me kryesuesit e bordit në fshehjen e pagës kanë përdorur edhe 3 anëtarë të tjerë të bordit të drejtorëve në AKP.
Mentor Hyseni, anëtar i këtij bordi ka deklaruar rrejshëm në AKK se pagë mujore për honorar nga APK-ja merr vetëm 884 euro ndërsa vjetore 10 mijë e 608 euro.
Ndërsa pas hulumtimit del se një anëtar i Bordit paguhet apo kompensohet me pagë 1 mijë e 723 euro në muaj apo 10 mijë e 684 euro në vit, kjo pavarësisht sa mbledhje qoftë edhe të jashtëzakonshme mbahen në muaj.
Hyseni nuk ka deklaruar fare në AKK në deklarimin e vitit 2022, plot 10 mijë e 75 euro që merr nga paga vjetore në AKK.
Një shifër gati sa edhe kryesuesi i këtij bordi e fshehu në deklarimin e pasurisë për vitin 2022 edhe anëtarja tjetër e bordit të AKP-së, Violeta Arifi – Krasniqi. Ajo nuk i deklaroi fare 12 mijë e 879 euro që merr nga paga e saj në këtë institucion të pavarur.
Derisa në AKK ka deklaruar se në vit ajo nga AKP-ja paguhet vetëm 7 mijë e 804 euro në muaj, në fakt paga e saj vjetore kap shifrën 20 mijë e 684 euro.
Anëtari tjetër i Bordit të AKP-së, Halim Muçolli ka deklaruar në AKK 10 mijë e 460 euro më pak se sa paga vjetore që merr në këtë institucion.
Përderisa ai paguhet 1 mijë e 723 euro në muaj ka deklaruar rrejshëm se merr vetëm 852 euro nga posti i tij si anëtar i bordit.
Gazeta Infokus ka raportuar edhe më herët për pasurinë e majme të drejtorit Muçolli, në AKP. Në raportin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion ai ka deklaruar hiq më pak se 1 milion e 830 euro pasuri të paluajtshme.
Dy “engjëjt” e AKP-së, të vetmit që deklaruan saktë pagën e tyre në AKK
Vjollca Jashari e Xhevdet Neziraj janë dy anëtaret e vetëm të bordit të drejtorëve në Agjencinë Kosovare të Privatizimit që kanë deklaruar saktë pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsion në deklarimin e vitit 2022.
Po ashtu edhe në raportimet e mëhershme të Gazetës Infokus për pasurinë e anëtarëve të këtij bordi, Jashari e Neziraj ishin të vetmit që posedonin një pasuri më të vogël se sa pjesa tjetër.
Xhevdet Neziraj, ka deklaruar se posedon një shtëpi dhe një tokë.
Gjithashtu, në kuadër të të hyrave vjetore ai ka deklaruar se si kompensim merr 128 euro nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Ndërkaq, Vjollca Jashari, si pasuri të paluajtshme e ka deklaruar vetëm një banesë në vlerë prej 40 mijë euro.
E si të hyra vjetore në AKK, ajo ka deklaruar se merr 1 mijë e 723 euro në muaj, si kompensim për mbledhjet e bordit të AKP-së dhe 128 euro si kompensim për pjesëmarrje në komitetin e auditimit nga kjo agjenci.
E “perla” e AKP-së mbetet, anëtari i Bordit të drejtorëve, Avni Ajdini i cili për dallim nga të tjerët ka deklaruar në AKK më shumë se sa realisht paguhet.
Ai ka deklaruar se merr 1 mijë e 88 euro më shumë në vit. Derisa në AKK sipas deklarimit të vetë Ajdinit ai merr 1 mijë e 814 euro në muaj, realisht paga e tij sipas përgjigjes së AKP-së dhënë Gazetës Infokus për qasje në dokumente publike ai merr vetëm 1 mijë e 723 euro.