Sot në Dragash është inauguruar fusha e re e futbollit, një investim i rëndësishëm i FFK-së, që do të përmirësojë dukshëm infrastrukturën sportive në këtë regjion.
Në fazën e ardhshme, në bashkëpunim me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport do të realizohet edhe projekti i ndërtimit të tribunës dhe lokaleve përcjellëse të stadiumit.
Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë presidenti Agim Ademi, i shoqëruar nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe kryetari i regjionit të Prizrenit, Mirsad Çollaku.
Ky investim i FFK-së vjen më kuadër të serisë së projekteve të planifikuara për zhvillimin e infrastrukturës sportive në këtë rajon.
Presidenti Ademi shprehu kënaqësinë për realizimin e këtij projekti dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për avancimin e futbollit në Kosovë dhe falënderoi kryetarin e Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini për bashkëpunimin e ngushtë në realizim të këtij projekti.
Fusha e re shënon një pikë kthese për futbollin në Dragash dhe për zhvillimin e talenteve në këtë komunë, si dhe është dëshmi e përkushtimit të FFK-së për zhvillimin e infrastrukturës sportive në të gjitha rajonet e Kosovës.