Imer Imeri, vëllai i Haki Imerit, ish-aktivistët e vrarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), po vazhdon rrëfimin e tij në “Debat Plus”.
Gjatë bisedës, ai është pyetur edhe rreth marrëdhënies me Hashim Thaçin, të cilin tha se e falënderon për fjalët për vëllain e tij. Tutje, ai ka treguar se Thaçi i ka bërë “be në 300 pleq” se nuk ka “gisht e as hile” në vrasjen e vëllait të tij, Haki Imerit.
Por, sipas Imerit, Thaçi ia ka treguar “urdhërdhënësit” e vrasjes së Haki Imerit.
“Po ju pyes, nëse është emri i ndonjërit nga ata për të cilët ju ka folur Thaçi dhe e keni aty në dosjën tuaj të kaltër, është sot në mesin e të akuzuarve?” – e pyeti moderatori Ermal Panduri.
“Unë fola edhe pak më herët, do sene që janë për Gjykatë…” – filloi përgjigjën e tij Imeri.
“A është në mesin e urdhërdhënësve për të cilët ju ka folur juve zotri Thaçi sot në bankën e të akuzuarve nga Gjykata Speciale?” – ia përsëriti pyetjen sërish Panduri.
“Zoti Ermal, është” – ishte përgjigja e shkurtër e Imeri.
Ndryshe, Imeri e ka pranuar publikisht se është dëshmitar i Gjykatës Speciale.
“Unë jam dëshmitar i Gjykatës Speciale, i hapur, çka i kam thënë Prokurorisë, nuk i qes para jush. Por qeto punë që i kam qitë moti kohë në EULEX, qëto i them edhe para jush, a po i lypni?” – deklaroi Imeri.