Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se uji i liqenit të Badovcit mund të përdoret për pije.
Në një njoftim ata kanë bërë me dije se vlerat e manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës në ditët e fundit rezultojnë brenda standardeve të parapara.
“Vlerat e manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës në ditët e fundit rezultojne brenda standardeve të parapara me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 “Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu”. Për t’u shpallur UJI HIGJIENIK DHE I SIGURT PËR PIJE në zonën e furnizimit nga fabrika e Badovcit, në laboratoret e IKSHPK-se Laboratori i parametrave bazik ku testohet Mangani si parametër indikues dhe Laboratori analitik-ICPMS ku testohet mangani si metal i rëndë, sipas procedurave standarde janë kryer tri matje të njëpasnjëshme në tri ditët e fundit:
Më datën 17 nëntor: 0.025-0.050 mg/litër
Më datën 18 nëntor: 0.010-0.031 mg/ litër
Më datën 19 nëntor: 0.017-0.037 mg/ litër
Bazuar në rezultatet laboratorike, uji në zonat e furnizuara nga Liqeni i Badovcit gjegjësisht – Fabrika në Badovc i plotëson kriteret të parapara me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 “Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu”(vlerat referente të Manganit 50 µg/L (0.05 mg/L).
Nga sot vazhdon monitorimi i rregullt si aktivitet themelor i Qendrës së ujit brenda IKSHPK-së”, thuhet në njoftim.