Shpeshherë për çiftet kosovare telashet nuk marrin fund me shkurorëzim. Shumë nga ta vazhdojnë të kenë probleme me ish-partnerët e tyre, të cilët nuk arrijnë ta pranojnë ndarjen. Si pasojë e telasheve të vazhdueshme janë gratë ato që kryesisht kërkojnë ndihmën e Policisë.
Një rast i tillë ishte denoncuar para një jave nga një grua në Gjilan, e cila ka deklaruar në Polici se ish bashkëshorti i saj e ka kërcënuar.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 30-vjeçari i dyshuar ka rënë dje në prangat e Policisë pasi po kërkohej për këtë rast.
I dyshuari më 17 prill ia ka zënë pritën viktimës, duke e ofenduar e kërcënuar, për motive akoma të panjohura.
Si rezultat i denoncimit, njësitet policore kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin, i cili u shoqërua dje në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë vendim që i njëjti të ndalohet dhe ndaj tij të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.