Sot, u raportua për një aksident me fatalitet që ndodhi në mëngjes, te ura në Tranzitin e Vjetër në Prizren, ku një i ri dyshohet se humbi jetën teksa ishte në veturë bashkë me një mik.
Ky i fundit që ishte shofer, dyshohet se e humbi kontrollin mbi veturë dhe fatkeqësisht shoku i tij nuk arriti të mbijetojë.
Sinjalizuesit e Sinjalit kanë bërë të ditur se i riu që vdiq është Arlind Kelmendi, i cili ishte bllokuar në veturë dhe u nxor nga vetura me ndihmën e Zjarrfikësve.
Vdekjen e viktimës e ka konfirmuar ekipi i mjekëve që ka dalë në vendin e ngjarjes, bashkë me njësitet tjera.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia në Prizren, me ç’rast kanë bërë me dije se aksidenti u shkaktua pasi shoferi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi veturë dhe për pasojë ka përfunduar jashtë rrugës.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse, ku janë bërë ekzaminimet e nevojshme, ndërsa për rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.