Mahmut Halimi, avokati i Ridvan Muharremit, mikut të Kurtit të arrestuar për skandalin me rezervat ka rrëfyer prapaskenat e sigurimit të grurit e vajit.
Në një intervistë për lajmi.net, ai ka treguar se si në këtë proces kishte ndërhyrë edhe presidenti turk, Erdogan, i cili sipas Halimit, me kerkësë të Kurtit e iniciativë të Ridvan Muharremit, kishte hequr embargon 3 ditë për ta lejuar mallin të niset për Kosovë.
“Këta i kanë siguru të gjitha informatat për të. Kur ka pyet me propozimin e kujt më keni thirrë, i kanë thënë i kemi verifiku të gjitha ato dhe ti duhesh me na ndihmu se kem nevojë me na nimu. Me ministren është takuar 2-3 herë e më pas me sekretarët për çështjen e grurit dhe vajit e sheqerit. Ka pas biseda vetëm për gjetjen e tregut. Në herën e dytë është rastin e ka përcjell kur është lidhë kontrata, e ka përcjell ngarkesën e mallit të drunit, 10 mijë e 6 tonelata janë ngarku. 5 netë, përmi 700 shlepera kanë bajtë, 2 netë e dy ditë 10 mijë tonelata. Pronari i mallit kur ka kuptu se është për Kosovë, 6 tonelata na i ka dhanë falas. E kemi thirrë auditorin e shtetit të Turqisë, auditorin shtetëror me e konstatu gjendjen. A është sasia, a është kualiteti për normat ndërkombëtare për me u importu ky mall. Dogana turke i ka vendos bllombat dhe ai mall është mbyll e u ba gati me u importu”, ka thënë Halimi për lajmi.net.
“Ka arrit së bashku me këtë mikun e tij me e thy embargon, me kërkesën e tyre, një përkrahje ka qenë edhe kryeministri Kurti që ka qenë në Antalia në një konferencë ndërkombëtare, i ka lajmëru Ridvani, ka thënë ju lutem masi është kryeministri atje, le të flet me Erdoganin le të lut nëse bon me na e hjek embargon. Presidenti Erdogan e ka hjek embargon, ka thënë 3 ditë i keni kohë”, tha tutje ai.
“Tash çka ndodhë. Këta ja shpjegojnë atyre që marrin urdhërin, i thonë i keni tri ditë afat. 2 ditë mas pakti kanë thanë na vyjnë për procedura se 10 mijë tonelata janë. Malli ka pas me ardhë në Porto Romano në Durrës. E kanë arrit e kanë ngarku për 4 orë e kanë hjek embargon. Këto janë veprat e Ridvan Muharremit. Ai s’ka marrë pjesë në procedurën e çmimit”, tha në fund ai.