“I dyshuari me të meta psikike”: Krejt çka dihet për vrasjen me thikë në Prishtinë

Një vrasje e rëndë ka tronditur natën e kaluar Prishtinën dhe Kosovën.

Si pasojë e goditjeve me thikë, jetën ka humbur Auron Myftari.

Ajo çka e bën edhe më tragjike ngjarjen, është se sipas dyshimeve të para, i dyshuari për kryerjen e vrasjes është vëllai i viktimës, Gent Myftari.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi. Ky i fundit ka thënë për Nacionalen se i dyshuari është me të meta psikike.

“Vëllai e ka therë me thikë vëllain. I dyshuari është me të meta psikike”, ka thënë Gashi për Nacionalen.

Detaje të reja për ngjarjen ka dhënë edhe Policia e Kosovës. Pasi iu dha ndihma mjekësore, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që me mjet të mprehtë-thikë kishte goditur disa herë viktimën mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes, njësia e Urgjencës ka bërë konstatimin e vdekjes së viktimës si dhe të dyshuarit i është dhënë tretman mjekësor pasi kishte lëndime trupore. Në vendin e ngjarjes kanë dal edhe prokurori kujdestar dhe njësia e IML-së. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të kompleksit “Ramiz Sadikut”, afër stacionit të trenit në kryeqytet.

Rrethanat dhe shkaqet e tjera se si ka ardhur deri te kjo ngjarje nuk dihen, megjithatë mbrëmë Policia bëri të ditur se ka pasur një mosmarrëveshje mes dy vëllezërve.

Auron Myftari që është viktima, dhe Gent Myftari i dyshuari, janë vëllezërit e regjistorit të njohur të Kosovës, Agon Myftari. Ky i fundit ka reaguar në rrjete sociale duke thënë se rrethanat e ngjarjes po hetohen.

“Me dhimbje të thellë e me zemër të thyer, ju njoftojmë se djali e vëllau jonë, Auron (Hazir) Myftari, në rrethana tragjike, mbrëmë ka humbur jetën. Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër, në varrezat e qytetit në Arbëri. Për detajet e sakta rreth varrimit, do të njoftoheni me kohë. Rrethanat që kanë dërguar në humbjen e parakohshme të jetës së Auronit, janë duke u hetuar nga policia. Prandaj, kërkojmë mirëkuptim që të mos spekulohet deri sa organet e rendit ta japin versionin e tyre për ngjarjen tragjike”, ka shkruar Agon Myftari në rrjete sociale.

Nacionale ka dërguar pyetje në adresën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për të kuptuar më shumë detaje për rastin, dhe është në pritje të përgjigjeve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë pritet të kërkojë 30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit.