Asamblisti i vetëm i Nismës Socialdemokrate, Endrit Zabërgja është shpërblyer pozitë pas mbështetjes që i ka dhënë kryetarit Përparim Rama për planin rregullues për lagjen ‘Kalabria’.
Me vendim të kryetarit Rama, asamblisti komunal i Prishtinës është emëruar anëtar në Komisionin e Aksionarëve në Ndërmarrjen Publike Lokale ‘Stacioni i Autobusëve’.
Emërimin e tij në këtë pozitë e ka konfirmuar Zabërgja në një përgjigje me shkrim për Paparacin të premten.
“Po, jam emëruar në Komisionin e Aksionarëve”, ka thënë ai, derisa ka shpjeguar se vendimi për emërim është nxjerrë gjatë muajit të kaluar.
Asamblisti Zabërgja ishte përkrahës i madh i planit rregullues për lagjen ‘Kalabria’ të cilën e ka prezantuar Komuna e Prishtinës më herët gjatë këtij muaji.
Të hënën, Kuvendi Komunal i Prishtinës e ka votuar planin e hollësishëm rregullues 2024-2032 për lagjen ‘Kalabria’ në kryeqytet.
Në planin që paraqiti drejtori i Urbanizmit, Arbër Sadiku, parashihej që në pronën publike te Stacioni i Autobusëve të shkohej me koeficient maksimal 7. Ishte pikërisht kjo pikë që nxiti debat tek opozita pasi kundërshtuan që prona publike të shfrytëzohej për “betonizim”.
Kryetari Rama, përpos votës së Zabërgjës, gjeti edhe mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe dy partive të vogla, por jo të PDK-së dhe LDK-së subjektit që ai “i përket”. Pas arritjes së kompromisit për uljen e koeficientit të ndërtimit të lartë në këtë lagje (në pjesën e Stacionit të Autobusëve), u siguruan votat e mjaftueshme për miratim.
Plani u miratua me votat e LVV-së, AKR-së, AAK-së dhe Nismës, të cilën e përfaqëson Zabërgja.