“I çel udhë pasaportës hipotetike katalonase”: Nisin përplasjet e para serioze në Spanjë pas njohjes së pasaportës së Kosovës

Arsyet s’ia shpjeguan askujt pse, por pasaportën kosovare shteti spanjoll përfundimisht e njohu dhe pranoi.

Kjo në dritën e heqjes së regjimit të vizave për lëvizje të lirë në zonën Schengen për shtetasit kosovarë.

El Pais” dje e konfirmoi përmes ministrisë spanjolle të punëve të jashtme se Pasaporta e Kosovës – për herë të parë – është pranuar zyrtarisht.

Kësisoji duke e mbyllur një kapitull kokëfortë refuzimi ndaj shtetit kosovar – shtet me të cilin jo shumë kohë më parë s’pranonte të ulej as në mjedise shumështetëshe e as forume të zakonshme.

Pyetur nga EL Pais, Ministria e Punëve të Jashtme spanjolle ka konfirmuar pranimin e pasaportës së Kosovës në doganat spanjolle, edhe pse nuk shpjeguan arsyet që kanë çuar në këtë ndryshim”.

U brohorit anëekënd Kosovës për arritje të këndshme, dhe jo për pak kënd pikturoi një horizont optimist të vitnisjes 2024.

Megjithatë kjo brohorimë gëzimi përbrenda arriti deri në titujt e mediave spanjolle; ku edhe veçse kanë nisur reagimet politike; dhe atë jo pak “të serta” për nga tonet.

Partia më e votuar për nga numrat në zgjedhjet e fundit – Partia Popull0re (PP) – e ka denoncuar “ashpër” vendimin e shtetit spanjoll për njohjen e pasaportës kosovare, veprim të cilin e kanë interepretuar me “gogolin” e kahershëm ndërlidhës mes Kosovës dhe Spanjës: rastin e Katalonisë.

Gazeta spanjolle ABC shkroi se PP ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Pedro Sanchez se ky vendim hap portën “që cilido vend tjetër të pranojë ndofarë pasaporte hipotetike katalonase në të ardhmen”.

PP-ja fajëson kthesën e re që ka marrë qeveria e Pedro Sánchez në politikën e jashtme, këtë herë duke pranuar pasaportat kosovare – diçka që e kundërshtoi vetëm nëntë muaj më parë – për varësinë që PSOE ka nga Lëvizja për Pavarësi Katalane për të kryer dekretet e saj në Kongresin e Deputetëve”, raportoi gazeta spanjolle.

Burime të cituara nga ABC shkruajnë se vendimi për pranimin e pasaportave kosovare “është tundje e kokës në mirati ndaj lëvizjes indipendente”.

Kështu, PP e sheh si të mundshme që ndryshimi në lidhje me Kosovën të lidhet me një afrim me këtë shtet – i cili shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe nuk njihet zyrtarisht nga Spanja, për sa i përket votimeve të javës së ardhshme e bëjnë më të lehtë për Junts të ndryshojë pozicionin e tij”, raportoi më tej gazeta.

Kësisoji popullorët thonë se me njohjen e pasaportës kosovare – dokument ky shtetëror – Qeveria e Spanjës “dëmtoi edhe njëherë mbrojtjen ndërkombëtaere të Spanjës kundër lëvizjes së pavarësisë (së Katalonisë)”.

Pranimi i pasaportave kosovare hap dyert “në të ardhmen çdo shteti të pranojë një pasaportë hipotetike katalane”, besojnë ata.

Çfarë ndodhi?

Tashmë edhe zyrtarisht Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës ka konfirmuar se pasaporta kosovare do të njihet dhe pranohet nga shteti spanjoll, në një përgjigje për gazetën prestigjioze “El Pais”; ndonëse në pyetjen se “pse?” kanë ndryshuar këtë qëndrim, autoritetet spanjolle nuk kanë dhënë shpjegim.

“El Pais” e citoi së pari Zëvendës Kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, teksa thotë se njohja e pasaportës së Kosovës është konfirmuar në një përgjigje me shkrim për ta.

Mes tjerash, gazeta spanjolle rikujton deklarimin – jo shumë kohë më parë – të Ministrit të Jashtëm të Spanjës, Jose Manuel Albares i cili shprehej se duke qenë se “Spanja ka një politikë mosnjohëse ndaj Kosovës” kjo edhe nënkupton rrjedhimnisht “mosnjohje të pasaportave të Kosovës…mosnjohje që e kemi mbajtur vazhdimisht”.

Pyetur nga EL PAÍS, Ministria e Punëve të Jashtme spanjolle ka konfirmuar pranimin e pasaportës së Kosovës në doganat spanjolle, edhe pse nuk shpjeguan arsyet që kanë çuar në këtë ndryshim, i cili përfshin modifikimin e rregulloreve për dokumentacionin”, shkruan gazeta spanjolle.

Qeveria spanjolle vitet e fundit e ka kushtëzuar njohjen e pavarësisë së Kosovës me një marrëveshje me Serbinë, por ka siguruar se kjo nuk do të pengojë afrimin e Qeverisë së Prishtinës me Bashkimin Evropian“.

Kështu, Qeveria spanjolle ka pranuar pjesëmarrjen e autoriteteve të Kosovës në samitet e BE-së me Ballkanin Perëndimor, por duke përjashtuar flamujt dhe shenjat dalluese të shtetit të Kosovës. I fundit nga këto samite u mbajt më 13 dhjetor në Bruksel, nën Presidencën spanjolle të Unionit Evropian”, vijon artikulli.

Kujtojmë se deklarimet shtetërore spanjolle ishin që edhe pas liberalizimit të vizave Spanja do të vazhdonte me mosnjohjen e pasaportave kosovare, për shkak se, siç thonin ata, Kosova për ta “është vetëm një territor me të cilidn BE ka marrëdhënie” dhe se do të qëndronin në linjën e tyre të kahershme mohuese dhe mosnjohëse.