Sytë në të shumtën e rasteve i ka nga dera. Aty, pret që t’i shkojë ndokush për vizitë të paktën t’ia shtyjë disa minuta të ditës së tij.
Por ka raste kur Ismet Fazliu 76-vjeçar e kalon ditën plotësisht i vetëm në shtëpinë ku ai jeton. E kjo shtëpi nuk i plotëson as kushtet elementare për jete.
Axha Ismet ka një jetë që banon aty. Ai asnjëherë nuk ka qenë i martuar e as nuk ka fëmijë.
Profesion të tijin asnjëherë nuk ka pasur. Ka punua aty ku ka gjetur punë.
Por ka disa muaj që gjendja shëndetësore e këtij 756-vjeçari nuk është aspak e mirë.
Ekipi i Nacionales ka qëndruar për disa orë në vendin ku po qëndron ky i moshuar.
Krejt çka mund të themi është se ky njeri nuk meriton të qëndrojë në ambient të tillë. E aq më pak në atë gjendje shëndetësore.
“Veç i kisha marrë teshat qetash e drejt me juve, atje ku duhet në Dom te Pleqve, tjetër gja s’më ka mbet mu këtu. E çka bahet s’e di”, kjo është dëshira e vetme që e ka 76-vjecari, Ismet Fazliu i cili jeton i vetëm në një kasolle në fshatin Plemetin të komunës së Obliqit.
Më të vështirë situatën, e bën gjendja e tij shëndetësore. Ai që pesë muaj është i paralizuar, duke e pasur të pamundur kështu edhe kryerjen e nevojave elementare.
“Veç që s’po muj me dalë jashtë se unë gjithë ditën kam nejtë jashtë, në kthesë të atij banderit, kam hangër mëngjes. Jam dalë jom pshtetë kur jam fllad qishtu. Kur është zheg, kam shku në dugojë, qashtu masdite… qashtu.. Çka me i ba. Unë po tutna mos po hy në gjyna, se nuk o kollaj kjo. A nive?”, rrëhet ky i moshuar.
Ai thotë se është i gatshëm të shkojë kudo, vetëm të mos qëndrojë i vetëm.
“Me dalë prej ktuhit a?.. vallahi për 24 orë. S’rrihet bre këtu. Vetëm. Vjet e kam kalu mirë. Qymyr po, dru po, duartë e fora. Sivjet s’mujë. Me vdekë e me hekë”. Lidhet me “Për mu ishalla çon Zoti mirë e ma mirë se nuk jetohet vetëm”
E kohëve të fundit axhën Ismet po e vizitojnë disa persona. Bëhet fjalë për zyrtarët e shoqatës ‘Bereqeti’.
Por nga kjo shoqatë kanë një thirrje.
“Duhet urgjentisht, sepse nuk ka kush ma e këqyrë dhe kujdeset për të, përndryshe, ky ka me vdek në këtë gjendje. Sa herë të vijmë ne, mendojmë se mos po e gjejmë të vdekur, sepse gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë”.
E deri sa shteti ose dikush tjetër të merret me këtë rast, baca Ismet vazhdon ta shikojë derën duke pritur ndonjë person që t’i bëj pak shoqëri./Nacionale.com/