I arrestuari në Prishtinë është Liridon Fetahi, i kërkuari në tërë Evropën për vrasje me pagesë

Policia e Kosovës arrestoi një prej personave më të kërkuar në Evropë, Liridon Fetahi, i cili figuronte në listën “EU Most Wanted”.

Ai u arrestua sot në lagjen Veternik të Prishtinës, nën dyshimet për vrasje të kryera në Danimarkë.

Bazuar edhe në të dhënat e publikuara nga Europol, ai akuzohet për vrasje dhe lëndim të rëndë trupor, vepra këto që dyshohet se janë kryer si pjesë e vrasjeve me pagesë.

Liridon FETAHI kërkohet për dy raste të ndryshme vrasjesh. E para nga prilli 2020 kur një viktimë u qëllua dhe u vra në një parking publik. Në rastin e dytë nga nëntori 2020, tre viktima u qëlluan duke çuar në vdekjen e dy prej tyre. Ai besohet të jetë anëtar i një bande kriminale daneze“, thuhet në faqen e Europol-it.

Ndërkaq, policia konfirmoi se arrestimi është rezultat i një pune intensive operative në terren nga njësia e specializuar për kapjen e personave të arratisur.

“Sot, më 23.03.2026, në Prishtinë, Policia e Kosovës, përkatësisht njësia ‘FAST Kosova’, në bashkëpunim me njësitë e rendit publik dhe Njësinë për Reagim të Shpejtë (NJRSH), ka realizuar me sukses arrestimin e një shtetasi të huaj të kërkuar nga autoritetet ndërkombëtare për veprën penale ‘vrasje’”, thuhet në njoftim.