Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli, ka deklaruar se përleshja fizike që ka ndodhur në seancën e 13 korrikut në Kuvendin e Kosovës ka qenë një skenar i përgatitur nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka treguar se kjo është vërejtur qysh në fillim të seancës.
Sipas tij, në atë seancë ka qenë i dyfishuar edhe numri i punëtorëve të sigurimit të Kuvendit.
“Vazhdimisht janë punëtorët e sigurimit që na kontrollojnë kur hyjmë në seancë. Atë ditë ka qenë sigurimi i dyfishtë. Atëherë, ku e ditën sigurimi që ka me pasë kësi konflikti dhe me se thanë se ka diçka jonormale”, ka treguar Humolli.
Ish-deputeti i VV-së ka treguar se edhe sigurimi i Kuvendit ka qenë i befasuar më rritjen e numrit.
Ai ka thënë se pre e këtij skenari ka rënë PDK-ja.
“U interesova unë të hyrja, dhe me thanë se nuk e dimë çka është, por është diçka jonormale. Konflikti që ka ndodhur është një skenar i organizuar që ka ra pre ose me qëllim PDK-ja, nuk e di”, është shprehur ai.
Sipas tij, mënyra se si kanë shkuar atë ditë ngjarjet në Kuvend e kanë bindur atë se ka qenë skenar i VV-së.
Ai ka bërë me dije se kjo ishte bërë më qëllim që të largohet vëmendja nga biseda telefonike e Mimoza Kusari-Lilës me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
“Mënyra zinxhirore qysh ka shkuar gjithçka atë ditë, për mendimin tim ka qenë një skenar i përgatitur për me u diskutuar tash para qytetarëve për problemin që u krijuar në Kuvend e jo me u diskutu për bisedimet që kanë qenë me Radoiçiqin” është shprehur Humolli.