Deputeti i pavarur, Fatmir Humolli, nuk është i befasuar me situatën e krijuar në veri, ai thotë se Qeveria e Kosovës e ka zgjatur këtë situatë për qëllime të veta politike.
Sipas Humollit, situata në veri është kartë për Qeverinë, më mënyrë që të tregohet patriote për vendin.
“Ne s’kemi bërë luftë që të bëjmë hajgare me shtetin tonë. Sjellja e qeverisë në raport me veriun nuk është befasi shumë për mua, përkundrazi e ka shtyrë bukur shumë. Është kartë për me thënë se jam patriot, se për arsye që edhe këtë kartë e zgjedh ashtu siç janë marrë vesh partitë tjera politike, atëherë nuk e di se qysh më dikush mundet me i besua në kuptimin politik”, tha ai në Tëvë1.
Ish-deputeti i Vetëvendosjes thotë se nuk ka mundësi që me u zgjidh drejt situata në veri, sepse Qeveria e Kosovës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Bashkësia Ndërkombëtare nuk janë të interesuar.
“Nuk ka mundësi që me u zgjidh drejt për arsye që nuk është i interesuar Vuçiqi e as qeveria jonë, por nuk janë të interesuar as Bashkësia Ndërkombëtare, sepse me zgjidh siç po mendon Vuçiqi dhe disa miq të Serbisë në Evropë, atëherë krijojnë kushte për luftë të re në Ballkan, janë probleme të tilla. Nëse shkon me zgjidh situatën me këtë kartë siç po thotë Serbia e çelin një rrugë të re që detyrimisht na çon në rrugë të re. Evropa nuk është e interesuar për luftë të re në Ballkan, për arsye që ka dëme të mëdha në ekonomi”, shtoi ai.
Sipas tij, situata e krijuar në katër komunat veriore është luftë politike mes Bashkësisë Ndërkombëtare.
“Kjo është më shumë luftë politike mes Bashkësisë Ndërkombëtare, kjo luftë politike është mes faktorëve të tyre, nuk është luftë politike mes Kosovës dhe Serbisë. Kosovën dhe Serbinë qeta faktorët ndërkombëtarë janë duke i përdorur si kartë asgjë tjetër, për interesa politike e gjeostrategjike derisa të marrin vendime të prera për nevoja të tyre”, tha Humolli.
Ai thotë se Qeveria e Kosovës nuk ka si të dalë mirë, kur së pari ka prishur raportet me Shqipërinë.
“Kur kemi kësi klasë politike që e prish shtëpinë e vete, prishet me krejt vëllezërit e vet, atëherë qysh ka mundësi me dalë kanë mirë me dalë me armikun. U prish me krejt kategoritë, u prish me shqiptarët, shtetin shqiptar edhe me thënë po dal i fortë me Serbinë nuk ka mundësi”, shtoi ai.