Hulumtuesi i lartë në Institutin Octopus, Taulant Elshani thotë se protesta e sotme në veri të vendit e thirrur kinse nga pensionistët serbë, është tentim i Listës Serbe për të tensionuar situatën në veri të vendit.
Marrë parasysh fjalimit propaganduese që u mbajtën në sheshin e veriut të Mitrovicës për të kundërshtuar vendimin e BQK-së, sipas të cilit euro njihet si e vetmja valutë në Kosovë, Elshani tha se janë vazhdimësi e narratives propaganduese që u bë në Këshill të Sigurimit.
Në një intervistë për KosovaPress, njohësi i sigurisë, Taulant Elshani thekson se edhe këtë herë u dëshmua se Serbia po bashkërendon politikat me Rusinë.
“Realisht u pa që protesta e sotme që është mbajtur ishte e orkestruar nga Lista Serbe, për arsye të parullave politike që u shfaqën atje, mos të harrojmë që në fundjavë u shfaqën edhe disa thirrje nga organizata terroriste, një ripërtëritje morale që ushtria të kthehet në Kosovë. Pra është një përpjekje e Listës Serbe që të mbajë tensionin të ngritur, dihet fakti që Lista Serbe është kryekëput e kontrolluar nga Vuçiqi,” thotë ai.
Derisa nënkryetari i Listës Serbe propagandoi edhe në protestën që u mbajt të hënën më veri, Elshani thekson se kjo dëshmon ndikimin e Kremlinit zyrtar në Listën Serbe.
“Ndikimi i Rusisë, i Kremlinit zyrtar në Listën Serbe është evident dhe është i pranishëm, dhe dihet që ‘Lista Serbska’ merr edhe instruksione direkte edhe nga Kremlini dhe i bashkërendojnë politikat, përmes Beogradit dhe përmes Rusisë”, vijon Elshani.
Propaganda e sotme, sipas Elshanit, është vazhdimësi e asaj që u bë të enjten në Këshill të Sigurimit, ku u diskutua për dinarin.
“Propaganda që u bë aty është vazhdimësi e propagandës që i ka paraprirë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, propagandë e cila ka për qëllim krijimin e një narrative të rrejshme se gjoja serbët po sulmohen në Kosovë, gjë e cila nuk është e vërtetë dhe propagandë e cila u çmontua edhe nga kryeministri i Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Mbledhjen e Këshillit të Sigurimit si dhe nga të gjitha deklaratat e udhëheqësve politikë të Kosovës,” shton ai.
Përndryshe, sot në veri u protestua kundër rregullores së BQK-së, me të cilin euro është valuta e vetme në Kosovë.