Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se është e pakuptueshme dhe anti-demokratike që drafti i Asociacionit, të cilin e ka pranuar kryeministri Albin Kurti, mbahet i fshehur dhe nuk i tregohet opinionit publik.
Ish-kryediplomati kosovar ka thënë për Ekonomia Online se ai e ka parë një draft të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por tha se nuk dëshiron të komentojë pa e parë një draft zyrtar që del nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
“Unë e kam lexuar draftin. Por pa e parë një draft zyrtar që del nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe që thotë kryeministri Kurti ky është drafti që e kam pranuar, nuk ma merr mendja që do të duhej me komentu tash”, deklaroi Hoxhaj.
“Përtej asaj se çka është në përmbajtje, për mua është shumë me rëndësi zotimi qeveritar. Dhe është e pakuptueshme dhe anti-demokratike që ky draft të mbetet më tutje i fshehur dhe të mos i tregohet opinionit publik për një temë e cila është shumë e rëndësishme”.
Draftin besohet se ndërmjetësi Miroslav Lajçak ua ka prezantuar në vizitën e fundit në Prishtinë, kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, si dhe liderëve të partive të tjera kryesore opozitare.
Por, Hoxhaj tha se nuk e ka takuar së fundmi kryetarin Krasniqi. “Unë nuk kam arritur ta shoh zotëri Krasniqin dhe të bisedoj për një temë të tillë”, deklaroi ai.
Hoxhaj nuk është parë të jetë pjesë as e një takim që ka mbajtur kryetari i Partisë Demokratike me Kryesinë e partisë, me deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së dhe me kryetarët e degëve.