Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, për vrasjen e Liridona Ademajt, tha se ky rast tregon se duhet punuar me seriozitet në nivel të shoqërisë.
Sipas ambasadorit, përgjigja për këto duhet të jetë efikase për t’i ndaluar, ato që ai i quajti akte keqdashëse.
Ndër të tjera Hovenier tha se në bazë të disa anketave 76 për qind e qytetarëve mendojnë që partitë politike duhet të mundësojnë pjesëmarrje të barabartë të grave dhe burrave në politikë.
Sipas tij, 62 për qind besojnë që ngacmimi në internet dhe prortretizimet negative në politikë dekurajon pjesëmarrjen e tyre në politikë.
Hovenier këto komente i bëri në kuadër të konferencës për Integritetin e Informacionit DISICON, organizuar nga NDI, raporton EO, transmeton Klankosova.tv.
“Tema e këtij viti është thelbësore për ndërtimin e demokracive në botë. Këtë javë dëgjuam edhe për një raste të femicidit dhe kjo tregon se sa është e nevojshme që të punohet në nivel të shoqërisë. Jam shumë i sigurt që i keni parë rrjedhat shqetësues të gjuhës së urrejtjes ndaj grave, komunitete LGBT dhe komuniteteve të tjera nëpërmjet rrjeteve sociale”.
“Ende ka edhe shumë vend për përmirësim nuk po flas vetëm për Kosovën. Duhet ta marrim me seriozitet dhe duhet të përgjigjemi me efikasitet për t’i ndalur aktet keqdashëse. Dëshirojmë të flas diçka për ndryshimet në opinion publik në Kosovë sa i përket gjinisë, në bazë të anketave 76 për qind e qytetarëve mendojnë që duhet te mundësojnë pjesëmarrjen të barabartë të grave dhe burrave në politikë, 62 për qind besojnë që ngacmimi në internet dhe protetrizimi negativ në politikë dekurajon pjesëmarrjen e tyre në politikë. Këto statistika na tregojnë se qytetarët kosovarë janë të gatshëm për ta mbështetur ndryshimin”, tha ai.