Ambasada Amerikane në Prishtinë ka shprehur shqetësim për siç kanë thënë veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës.
Në një deklaratë të lëshuar pak minuta më parë, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka përmendur çështjen e mbylljes së objekteve të “institucioneve të administruara nga Serbia” në Dragash, Pejë, Istog e Klinë dhe zyrën e një organizate joqeveritare në Prishtinë.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë ndikim direkt dhe negativ në pjesëtarët e etnisë serbe dhe minoritetet tjera në Kosovë. Këto veprime janë duke rritur në mënyrë të panevojshme tensionet ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Hovenier ka shprehur shqetësim edhe për çështjen e dinarit serb.
Në deklaratë është përsëritur kërkesa që Kosova të shtyjë zbatimin e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për Operacionet me para të gatshme derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe derisa popullata të jetë informuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë tranzicioni.
Hovenier tha tutje se është i shqetësuar edhe për sekuestrimin e një automjeti me dinar serb që po vinin në Kosovë nga Serbia.
“Ne jemi të shqetësuar edhe nga aksionet e Policisë së Kosovës për të sekuestruar dinarin serb dhe automjetin që transporton për të shpërndarë pagesën e përfitimeve sociale nga Serbia. Ne kërkojmë nga autoritetet e Kosovës që të sigurojnë që individët për të cilët janë menduar këto pagesa të përfitimeve sociale t’i marrin ato pa vonesë”, thuhet tutje në reagimin e Hovenier.
Ambasadori amerikan ka thënë se çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.