Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovernier po largohet nga Kosova dhe shërbimi në Prishtinë është i fundit për një diplomat karriere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si ai.
Ai të martën mori urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova” nga presidentja e vendit, ndërsa u emocionua gjatë fjalës së tij në ceremoni. Tha se kishte planifikuar t’i thoshte disa fjalë, se zakonisht s’mbetet pa fjalë, por se këtë mbrëmje ato i kishin humbur.
Presidentja Vjosa Osmani, e cila publikoi një video nga ky moment, tha se Hovenier “për Kosovën ishte më shumë se një Ambasador”.
“Ishte me ne kur populli i Kosovës ishte viktimë e krimeve të llahtarshme, ishte me ne kur raportonte për masakrën e Reçakut, ishte me ne kur vendosnim themelet e shtetit tonë të pavarur, e ishte me ne edhe përgjatë viteve të fundit në mbrojtje të pavarësisë, sovranitetit dhe aleancës së pathyeshme me SHBA-të. Faleminderit Ambasador Hovenier!”, tha presidentja në Facebook.
Ambasadori Hovenier gjatë ditës së djeshme bëri të ditur se pas përfundimit të shërbimit diplomatik në Kosovë, do të pensionohet. Ambasadori amerikan tha se ishte nderi i karrierës së tij të shërbejë në Kosovë.
Hovenier u emërua ambasador në Kosovë, në nëntor të vitit 2021.
Ai është diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.