Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë që asnjë qeveri nuk ka prodhu kaq shumë lajme të këqija sa kjo e Albin Kurtit.
“Unë besoj që kurrë asnjëherë në 23 vjet qeverisje të jenë prodhuar kaq shumë lajme të këqija për vendin ku shumica prej tyre drejtpërdrejt nga qeveria ose të menaxhuara keq nga qeveria iu kanë kthy bumerang shteti të Kosovës”, ka thënë Hoti në Kuvend.
“Po i përmend disa prej tyre. Trazirat në veri. Ne mund të pajtohemi këtu që nuk kanë qenë të provokuara nga Kosova. Kosova ka tentu të vendosë ligj dhe rend atje por mënyra se si janë menaxhu, mungesa e koordinimit me partnerët ndërkombëtarë kanë cu në situatën ku tash sekretari i përgjithshëm i NATO-s i thotë presidentes së vendit që duhet të koordinohet edhe dërgimi i forcave speciale të Kosovës në atë pjesë të vendit sepse krijon situata të sigurisë për të cilat KFOR-i është përgjegjës dhe ky është degradim i madh në konsolidimin e shtetit të Kosovës në krejt territorin e vendit.
“Përleshjet në Kuvend kanë zënë vend në mediat ndërkombëtare, janë kthyer skemat e pamjeve të para disa viteve në këtë Kuvend ku është hedhur gaz lotsjellës dhe është ushtru dhunë”.
Hoti akuzoi qeverinë për tentimin të mbyllë media duke iu referuar rastit të Klan Kosovës, ndërkaq foli edhe për sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës që po i kushton vendit qindra miliona euro investime.
“E treta, mbyllja e mediave, tendenca e pushtetit për të mbyllë media edhe në rastin ma të keq pushteti nuk tenton të mbyllë media. Veç në procedurë gjyqësore mund të mbyllet ndonjë media por asnjëherë me vendime administrative të kësaj qeverie. Edhe kjo ka zënë vend në mediat ndërkombëtare. Jam i sigurt që ka me qenë në raportin për vende të Komisionit Evropian, edhe në raportet e të gjitha organizatave ndërkombëtare për lirinë e mediave në Kosovë”.
“E katërta, sanksionet nga Bashkimi Evropian. Imagjinoni, e kemi kthy në normalitet këtë sikur është një çështje krejt e zakonshme politike në vend. Jemi vendi i parë nga viti ’99 e këndej që Bashkimi Evropian i vendos sanksione”.
“Janë rreth 500 mil euro projekte të ndryshme energjetike në komuna, në ujësjellës, në ngrohtoren e qytetit të Prishtinës që janë blloku, janë suspendu, mbesin të bllokuara, janë suspendu, mbesin të bllokuara për shkak të këtij vendimi”.