Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikua VV-në për dështimin e serishëm të Komisionit Hetimor Parlamentar për Rezervat Shtetërore.
Ai ka thënë se ky veprim po bëhet me urdhër të kryeministrit Albin Kurti.
Hoti ka komentuar edhe vizitën e Kurtit në Greqi.
Në profilin e tij në “Facebook”, ish-kryeministri ka shkrua se Kurti gjysmën e vizitave jashtë i ka në seminare e shkolla politike të së majtës në Greqi e vende tjera.
“Edhe sot, për të pestën herë, ka dështuar konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me dyshimet për procedurat për sigurimin e rezervave shterërore. Urdhërat që i detyrojnë deputetët e mazhorancës të mos paraqiten në komision vijnë nga komisarët e nga kryeministri, i cili gjysmën e vizitave jashtë i ka në seminare e shkolla politike të së majtës në Greqi e vende tjera. Fatkeqësisht, këta deputetë janë bërë pjesë e maskaradës politike të Kurtit, i cili po angazhohet me ngulm që t’i pamundësoj opozitës të ushtrojë rolin e saj mbikëqyrës të punës së Qeverisë”, ka shkruar Hoti.
Ai ka kritikuar kryeminsitrin Kurti edhe për aspekte tjera.
“Mospjesëmarrja e mazhorancës në seancat e jashtëzakonshme të thirrura nga opozita, mospërgjigja e Kryeministrit në pyetjet parlamentare të opozitës, si dhe pamundësimi i punës së Komisionit Hetimor Parlamentar përbëjnë akte antikushtetuese dhe pamundësojnë funksionimin e demokracisë parlamentare në Kosovë. Padyshim se kjo anomali do të dëmtojë procesin e anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ku respektimi i praktikave demokratike dhe lirive janë shumë të rëndësishme. Kjo anomali do të mbetet njollë e zezë dhe episod fatkeq në demokracinë parlamentare të Kosovës”, ka shkruar Hoti.