Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka reaguar ashpër për mospjesëmarrjen e kryeministrit, Albin Kurti në takimin përgatitor në Tiranë për Procesin e Berlinit, duke e quajtur heqje dorë nga obligimet shtetërore dhe tallje me aspiratat e popullit të Kosovës për integrim evropian.
Hoti tha se kjo tregon edhe mungesë serioziteti, pasi sipas tij s’ka asnjë takim më të rëndësishëm se takimi që po mbahet në Tiranë.
“Procesi i Berlinit është përcaktuar për integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Që nga fillimi i tij në vitin 2014, dakordimet e arritura në takimet vjetore të Procesit të Berlinit kanë qenë përcaktuese për progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Bazuar në ato dakordime, janë marrë vendimet përkatëse të institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për Kosovën ka qenë tepër e rëndësishme pjesëmarrja në këtë mekanizëm, mbi baza të barabarta si çdo vend tjetër, duke qenë faktor përcaktues për progresin në integrimin e rajonit së tërësi në BE.
Mospjesëmarrja në këtë takim tregon mungesë serioziteti dhe respekti të Kryeministrit për Tiranën dhe për Procesin e Berlinit.
Mospjesëmarrja në këtë takim është heqje dorë nga obligimet shtetërore të Kosovës.
Mospjesëmarrja në këtë takim është tallje me aspiratat e popullit të Kosovës për integrim evropian.”, ka shkruar Hoti.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti nuk do të marrë pjesë dhe kjo është konfirmuar nga Qeveria, ndërkohë që as pjesëmarrja e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi s’është planifikuar.
Kurti po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që mbahet në Greqi e ku po marrin pjesë politikanë progresistë e akademikë të shquar.