Hoti i propozon Qeverisë një zgjidhje për krizën, preken pagat dhe pensionet

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kritikuar pakon e Qeverisë për përballjen me inflacionin.

Me anë të një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se kjo pako është e vonuar dhe jo-adekuate, shkruan lajmi.net.

Ai thotë se zgjidhje është indeksimi i pagave e pensioneve.

“Pakoja për përballje me inflacionin që u propozuar nga Qeveria, e cila parasheh mbështetje të njëhershme për familje, do të kishte kuptim në kohën e pandemisë, kur familjet kishin nevojë për mbështetje të njëhershme për të përballuar rënien e të ardhurave gjatë muajve të mbylljes totale”, shkroi ai.

“Tani është e qartë se rritja e çmimeve do të vazhdojë edhe për disa muaj. Me gjasë, pas një kohe çmimet do të stabilizohen në nivele të larta. Prandaj, rënia e fuqisë blerëse e të ardhurave të familjeve nuk është e përkohshme dhe, rrjedhimisht, nuk mund të zgjidhet me masa të njëhershme. Masat duhet të jenë sistematike dhe afatgjata”, tha tutje Hoti.

Postimi i plotë i Hotit:

Pakoja për përballje me inflacionin është e vonuar dhe jo adekuate. Zgjidhja mbetet indeksimi i pagave, pensioneve, asistencës sociale dhe subvencioneve për normën e inflacionit.

Pakoja për përballje me inflacionin që u propozuar nga Qeveria, e cila parasheh mbështetje të njëhershme për familje, do të kishte kuptim në kohën e pandemisë, kur familjet kishin nevojë për mbështetje të njëhershme për të përballuar rënien e të ardhurave gjatë muajve të mbylljes totale.

Tani është e qartë se rritja e çmimeve do të vazhdojë edhe për disa muaj. Me gjasë, pas një kohe çmimet do të stabilizohen në nivele të larta. Prandaj, rënia e fuqisë blerëse e të ardhurave të familjeve nuk është e përkohshme dhe, rrjedhimisht, nuk mund të zgjidhet me masa të njëhershme. Masat duhet të jenë sistematike dhe afatgjata.

Zgjidhje e qëndrueshme, edhe pse jo perfekte, mbetet indeksimi i pagave, pensioneve, asistencës sociale dhe subvencioneve sipas normë së inflacionit. Vetëm kështu do të ruhej fuqia blerëse e të ardhurave. Vetëm kështu parandalohet thellimi i varfërisë dhe rënia e cilësisë së jetesës.

Kjo zgjidhje do të ishte lehtësisht e realizueshme në sektorin publik. Për më tepër, kjo nuk do të ngarkonte shumë buxhetin e shtetit, pasi të hyrat tatimore janë rritur proporcionalisht me rritjen e inflacionit.

Ndërkaq, për sektorin privat do të duhej të rritej paga minimale me vendim të Qeverisë për tu reflektuar në rritjen e pagave të kategorive më të ndjeshme të punëtorëve që kanë paga të ulëta. /