Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale për pezullimin e ekzekutimit të vendimit për heqjen e licencës për televizionin Klan Kosova.
Ai ka bërë me kontesti i Klan Kosovës me Qeverinë Kurti nuk duhet trajtuar vetëm si çështje biznesore.
Sipas tij, ky rast duhet trajtuar edhe si çështje e lirisë së mediave.
“Lajm i mirë ky për pezullimin e ekzekutimit të vendimit për heqjen e licencës për Klan Kosovën derisa çështja të shqyrtohet në procedurë të rregullt gjyqësore. Kontesti i Klan Kosovës me Qeverinë Kurti duhet trajtuar edhe si çështje e lirisë së mediave, e jo vetëm si çështje biznesore. Sigurisht se ligji duhet të zbatohet pa asnjë kompromis, por ka qenë gabim që në fillim që me vendime administrative të komisioneve të Ministrisë të tentohet të mbyllet një nga mediat kryesore në vend. Një media mund të mbyllet vetëm nëse ka një vendim gjykate. Prandaj, që në fillim Ministria do të duhej ta drejtonte çështjen në gjykatë”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka vlerësuar se në sistemet demokratike mediat përbëjnë njërën nga shtyllat e pushtetit.
“Nëse shembet ajo shtyllë, atëherë sistemi demokratik kolapson dhe shkohet drejt diktaturës. Nuk ka rrugë të mesit. Liria e mediave nuk matet me numrin e mediave të regjistruara, siç po tentohet të shitet nga demagogët në pushtet. Liria e mediave matet me lirinë e aktivitetit dhe fjalës së tyre në çdo rrethanë. Nëse mediat bëjnë shkelje të etikës profesionale, atëherë janë mekanizmat ligjorë që mund të përdoren”, ka shkruara Hoti.