Hiqen bllokadat e vendosura nga serbët në pikat kufitare – çka thanë Osmani, Sveçla e Gërvalla?

Në shenjë proteste për mbylljen e institucioneve paralele në Kosovë, shoqatat serbe i vendsën bllokadat në pikat kufitare. Ajo në Jarinjë u hap mëngjesin e së shtunës, ndërsa në mbrëmje u hapën edhe Merdarja e Bërnjaku.

Për këtë shkroi ministri Sveçla.

“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak”, tha Sveçla në Facebook.

Ndërsa, Dragisha Miriqit, kryetar i Shoqatës Koreni në Serbi, njoftoi të shtunën pasdite se bllokada në Merdare është hequr.

Miriq tha se shoqata e tij do të presë deri më 1 tetor për plotësimin e kërkesave të tyre nga autoritetet kosovare dhe paralajmëroi bllokadë të re kufitare, nëse kërkesat e serbëve nuk plotësohen.

Organizatorët e bllokadave duan që Kosova ta tërheqë policinë nga komunat me shumicë serbë në veri, ta lejojë përdorimin e valutës së dinarit serb, i cili u ndalua në fillim të këtij viti, si dhe ta lejojë punën e komunave paralele serbe.

Ministri Sveçla tha të premten se këto pikëkalimet në Merdare dhe Bërnjak ishin mbyllur pasi persona të maskuar në pjesën serbe të kufirit i kishin “ndaluar në mënyrë selektive e me qasje fashiste” qytetarët që donin të kalonin transit përmes Serbisë.

Sveçla tha se e gjithë kjo ka ndodhur “para syve të policisë serbe”.

Ekipi i REL-it ka parë persona të maskuar afër bllokadës të vendosur në pjesën serbe të kufirit në Bërnjak natën e së premtes.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka akuzuar Serbinë të shtunën se po përpiqet të krijojë tensione dhe përshkallëzim në Kosovë dhe në rajon “përmes bandave kriminale të lidhura me shtetin”, pas bllokadave të vendosura në pjesën serbe të pikëkalimeve kufitare mes dy vendeve, raporton REL.

“Serbia edhe njëherë tregon se nuk i intereson lëvizja e lirë, nuk i intereson fqinjësia e mirë. Këto bllokada, të cilat janë krijuar kohëve të fundit, në mënyrë të veçantë kanë për qëllim të terrorizojnë qytetarët shqiptarë donin t’i shfrytëzonin këto pika kufitare”, tha Osmani të shtunën në Podujevë, ku mori pjesë në një ngjarje.

Osmani kërkoi nga aleatët e Kosovës “të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë, të cilat po shkelin të drejtat e qytetarëve tanë dhe kanë tendencë ta destabilizojnë paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë por në tërë rajonin tonë”.

Ndërsa kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla ka ‘goditur’ Gjermaninë teksa ka reaguar në “X” ndaj bllokadës së kufijve me Kosovën që po bëhen brenda territorit të Serbisë.

Gërvalla ka përmendur që atje po ndalohen shqiptarë me targa gjermane duke i bërë thirrje Berlinit që të angazhohet për kalim të lirë të tyre.

Tutje, Gërvalla ka shkruar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq po e mashtron BE’në dhe Gjermaninë duke folur për anëtarësim në BE. Sipas saj, policia serbe s’po ndërmerr asgjë kundër bllokuesve të rrugës që s’po i lënë shqiptarët të kalojnë.

“Përtej kufirit në Bërnjak, serbët e maskuar po ndalojnë makinat me regjistrim gjerman dhe nuk i lënë shqiptarët të kalojnë. Policia e Vuçiqit po e mbështet atë përshkallëzim racist, duke parë dhe duke mos bërë asgjë”, shkroi Gërvalla.

Po ashtu Gërvalla ka përmendur edhe marrëveshjen për litiumin duke thënë se pavarësisht saj, Gjermania duhet të reagojë. Kryediplomatja e Kosovës i ka bërë thirrje edhe BE’së e SHBA që ta ndalin Vuçiqin para se ai të nisë luftë.

Organizatori i bllokadave në pikat kufitare, Rasha Rojeviq ka kërcënuar me radikalizëm nëse s’ka “normalizim të situatës” deri më 1 tetor.

Rojeviq, ka thënë për Tanjug se nuk ka bllokadë në asnjë vendkalim, duke thënë se qarkullimi në Jarinjë gjatë gjithë kohës ka qenë normal, por thotë se qarkullimi i automjeteve me mallra me dokumente të Kosovës u ndalua.

Ai po ashtu ka thënë se u kanë dhënë afat Qeverisë së Kosovës deri më 1 tetor për të “normalizuar situatën,” në të kundërtën thotë se do të marrin masa më radikale.