Christopher Hill, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka folur për situatën politike në mes të Kosovës e Serbisë. Hill ka dërguar disa mesazhe, duke kujtuar edhe obligimet që ka Kosova nga Marrëveshja e Brukselit. Madje, Hill u shfaq i bindur se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të ndodhë. Çka tha Hill?
Në këtë intervistë për gazetën serbe “Blic”, Hill vlerësoi se për të dyja palët, për Kosovën e Serbinë, ka disa detyrime që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Ai e përmendi edhe aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke theksuar se duhet parë se si do të shkojë.
“Sa i përket dëshirës së Kosovës dhe aplikimit të saj në Këshillin e Evropës, do të flitet shumë, do të ketë një debat të gjallë dhe në një farë mënyre e gjitha është e lidhur me Marrëveshjen e Ohrit. Marrëveshja e Ohrit vendos disa detyrime e kërkesa nga të dyja palët, kështu që ne duhet të shohim se si do të shkojë, por sigurisht që ata duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, mendoj se kjo është e qartë për të gjithë ne, por ata duhet ta kalojnë të gjithë procesin” – tha ai, transmeton Klan Kosova.
Duke folur në emër të Qeverisë së ShBA-së, Hill vlerësoi se Kosova duhet t’i përmbushë obligimet e saj nga Marrëveshja e Brukselit.
“Sa i përket Kosovës, unë mund të flas vetëm në emër të Qeverisë sime, sepse ka shumë diskutime për këtë temë në Quint. Por qëndrimi i Qeverisë sime është se Kosova duhet t’i përmbushë obligimet e saj nga Marrëveshja e Brukselit dhe nëse nuk e bën, sigurisht që komplikon interesin e saj për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera”, – tha Hill në këtë intervistë, transmeton Klankosova.tv.
Ambasadori Hill u pa i vendosur se Asociacioni do të ndodhë, duke vlerësuar se ky asociacion është shumë i arsyeshëm dhe një zgjidhje për të gjithë. Megjithatë, Hill theksoi se procesi negociator është i vështirë.
“Mendoj se do të ndodhë, se Asociacioni i Komunave (me Shumicë, v.j.) Serbe është shumë i arsyeshëm – një zgjidhje për të gjithë. AKS-ja do të ndihmonte në tejkalimin e shumë problemeve dhe vështirësive aktuale që ka komuniteti serb në Kosovë. Mendoj se AKS-ja është e nevojshme për të ardhmen e Serbisë, dhe mendoj për të ardhmen e Kosovës, kështu që besoj se do të ndodhë. Është një proces negociues që është i vështirë. Shumë lëvizje luajnë rol në këtë, por mendoj se ajo që është thelbësore, e kam thënë tashmë shumë herë, është se është e rëndësishme për komunitetin serb në Kosovë se cila do të jetë e ardhmja e tyre dhe cila do të jetë e ardhmja e fëmijëve të tyre, dhe mendoj se AKS është mënyra më e mirë për ta arritur atë”, theksoi ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.