Kërkesës së LDK-së për themelimin e një Komision Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore i ka dhënë mbështetje edhe PDK-ja.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka bërë me dije se është shumë i nevojshëm formimi i një komisioni të tillë.
Ajo ka vlerësuar se asnjëherë më parë nuk kanë ndodhur që të keqpërdoren në këtë mënyrë rezervat shtetërore.
“Absolutisht është shumë e nevojshme dhe kërkesë legjitime. E thash së është e paprecedent që rezervat e shtetit të vidhen në atë formë dhe të mos këtë aspak llogaridhënie nga qeveria”, ka thënë Deliu-Kodra në emisionin Special të Klan Kosovës.
Ajo ka paralajmëruar se partia në pushtet do të bëj përpjekje që të pengojë këtë komision.
“Në kemi parë në të kaluarën përpjekjet e mazhorancës për pengimin e komisioneve hetimore, kemi parë rastin e KEK-ut, kur ne kemi ngritur dyshimet sepse kemi pasur informacione për aferat të cilat tashmë i kemi edhe zyrtare në mes të ambasadorit Berishaj dhe përfaqësuesve tjerë në Beograd dhe shtete tjera përreth”, është shprehur ajo.
Deputetja e PDK-së ka vlerësuar se opozita nuk do të dorëzohet përball pengesave të partisë në pushtet.
“Ne kemi pasur përpjekje të kësaj shumicës parlamentare që t`i bllokoj komisionet hetimore parlamentare. Por, ne do të jemi të zëshëm, me fillimin e sesionit të ri të Kuvendit të Kosovës për të shpërfaqur këtë qeveri me skandale të panumërta dhe natyrisht për ta bërë përgjegjëse dhe të ofroj llogari para qytetarëve të Kosovës së si janë shpenzuar këto rezerva dhe ku janë ato para të taksapaguesve të Kosovës, për të cilat kjo Qeveri po i mbyll sytë e të mos deklarohet”, është shprehur Deliu-Kodra.
Një ditë më parë, edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka treguar se themelimi i këtij komisioni do të iniciohet në seancën e parë të sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës.
“Qytetarët e Republikës kanë nevojë të dinë të vërtetën. E vërteta është zgjidhja e duhur për të gjitha; është pikënisje për gjithçka. Keqpërdorimet dhe abuzimet eventuale me rezerva shtetërore, përkatësisht me produkte esenciale, kërkojnë qasje hetimore serioze dhe përmbajtjesore. Prandaj, në mbledhjen e parë të sesionit vjeshtor në Parlamentin e Kosovës, LDK do të kërkojë që të formohet një Komision Hetimor Parlamentar për të hetuar keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore”, ka thënë Gashi në një konferencë për medie.
Ai ka bërë me dije se krahas hetimit penal që do ta bëj prokuroria, është i nevojshëm edhe hetimi parlamentar.
“Kështu që, përveç hetimeve penale që duhet t’i bëjë Prokuroria e Shtetit për këto raste, ne konsiderojmë se është e domosdoshme që të kemi edhe hetim parlamentar për të parë nga afër se sa janë respektuar ligjet dhe procedurat për çështjen e rezervave shtetërore. Duhet të kuptojmë të vërtetën se si janë menaxhuar rezervat shtetërore! Të kuptojmë se cila është procedura që është ndjekur? Të kuptojmë se a janë hapur tender për këto rezerva shtetërore? Nëse po, si kanë shkuar? Nëse jo, pse jo? Dhe nëse këto kontrata janë klasifikuara si sekrete, cila është forma që është përdorur për t’u vlerësuar si sekret? Pse dhe si janë klasifikuar si të tilla? Çka është klasifikuar si sekret shtetëror; produkti, çmimi, vendndodhja, personat e involvuar, kontratat apo sekreti është i vlefshëm vetëm për qytetarët?”, ka thënë Gashi.