Pasuria e presidentes Vjosa Osmani dhe deklarimi i fundit i saj për këtë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, u raportua se po hetohen. APK thotë se nuk mund ta konfirmojë e as ta pohojë këtë, duke thënë se procedurat e tyre janë “konfidenciale”.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit u raportua se po kontrollon nëse deklarimi i pasurisë së presidentes Vjosa Osmani është i plotë dhe i saktë.
APK tha në një përgjigje për Gazetën Express se “nuk mund të konfirmojë apo të mohojë ekzistencën apo mungesën e ndonjë procedure konkrete, qoftë ajo e iniciuar në bazë të raportimit, shortit ligjor apo ex officio, përfshirë edhe çështje që mund të lidhen me persona të caktuar publikë të nivelit të lartë”.
“Agjencia, po ashtu, ju konfirmon se trajton çdo raportim apo informacion të pranuar me seriozitet të plotë, në mënyrë profesionale, të pavarur dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, duke respektuar standardet më të larta të integritetit institucional”, thuhet në përgjigje.
APK thotë se procedurat që ata ndjekin “janë të natyrës konfidenciale gjatë fazave të trajtimit dhe verifikimit dhe, si të tilla, nuk mund të jenë objekt i komentimit publik apo i konfirmimit përmes komunikimeve me media”.
Sipas VOX Kosova, janë gjetur dallime të theksuara në deklarimin e pasurisë së presidentes ndërmjet viteve 2024 dhe 2025. Ky medium raportoi se janë vërejtur mospërputhje në pasurinë e deklaruar në formularët vjetorë të deklarimit të pasurisë, ndryshime që përfshijnë rritjen e kursimeve dhe parave të gatshme.
Ndërsa sipas Kallxo.com, APK po trajton një pretendim se Osmani ka pasuri të padeklaruara.
Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, tha se ajo “mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion, që është i bazuar në pavarësi, paanshmëri, integritet, ligj dhe fakte të vërteta, por jo në fushata njollosjesh, të cilat dihet mirëfilli pse po ndodhin në këtë fazë”.
Pasuria e deklaruar e Vjosa Osmanit
Në deklarimin e fundit të pasurisë, Vjosa Osmani ka përmendur një banesë të blerë mbi 59 mijë euro bashkë me bashkëshortin, një garazh 6,000 euro, një shtëpi 170 mijë euro, tokë 35 mijë euro, dy “banime në varg” – njëra e përbashkët në vlerë 190 mijë euro dhe tjetra 510 mijë euro, e blerë në Australi.
Ajo ka thënë se “banimin në Australi”, pronën me vlerë mbi gjysmë milioni euro, e ka blerë nga “shitja e shtëpisë në Australi në pronësi të bashkëshortit, shitja e shtëpisë së prindërve të tij, kursime dhe hua familjare”.
Presidentja ka deklaruar në emër të saj edhe një tokë në vlerë 35 mijë euro të blerë në vitin 2016.
Osmani ka deklaruar se posedon një veturë në vlerë 10 mijë euro në emër të bashkëshortit.
Ajo ka deklaruar pagë vjetore 33 mijë e 104 euro, ndërsa nga mëditjet dhe udhëtimet zyrtare jashtë vendit ka deklaruar se ka përfituar mbi 11 mijë euro.
Bashkëshorti i saj, ndërkaq, ka deklaruar pagë vjetore mbi 11 mijë euro dhe disa të hyra nga qiraja në një shtëpi në Australi. Mbi 19 mijë euro, bashkëshorti i presidentes thotë se i ka përfituar nga një vendim gjyqësor ndërsa 2 mijë e 800 euro mëditje për udhëtimet jashtë vendit.
Në deklarimin e fundit të pasurisë së Vjosa Osmanit, thuhet se ajo nuk kryen ndonjë funksion apo aktivitet tjetër, krahas pozitës së presidentes së vendit.
