Heshtja e gjatë: Pesë sekondat e sikletshme të Escobarit e Lajçakut kur pyeten çka nëse Kurti s’ndryshon (Video)

Dy emisarët, Gabriel Escobar dhe Mirosllav Llajçak, dje folën para Ilva Tares në Këshillin e Atlantikut në lidhje me tensionet në veri të Kosovës dhe mundësinë e rifillimit të dialogut.

Sidoqoftë, më e rëndësishme se sa fjalët që thanë ishte një heshtje e gjatë, goxha e gjatë, pas një pyetjeje.

Escobar dhe Llajçak po provojnë ta rifillojnë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por duke e kuptuar se fillimisht duhet shtensionuar situata në veri të Kosovës.

Megjithatë, ngjarjet në terren janë jashtëzakonisht të vështira. Serbia i kidnapoi tre policë të Kosovës më 14 qershor. Ndërkohë, presidenti i saj Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar “lëvizje” më 28 qershor, për Vidovdan, nga serbët e Kosovës. Është raportuar se ata mund ta shpallin njëanshëm Asociacionin, mundësi për të cilën folën edhe dy emisarët.

Pak para heshtjes

Po fliste emisari Escobar. Po thoshte që nuk ka asnjë opsion tjetër përveçse të shtensionohet situata dhe palët të rikthehen në dialog. Në fund, e tha edhe një fjalë të madhe, megjithatë:

“Dhe, më duhet ta them, që komuniteti transatlantik është shumë i bashkuar në këtë gjë. Prandaj, e dini, ideja se një nga dy liderët do të vë kushte për një plan që është zhvilluar me kujdes nga Bashkimi Evropian nën koordinim me ShBA-të, mendoj se është pamend.”

Pyetja

Menjëherë më pas, Ilva Tare e shtron në mënyrë shumë direkte pyetjen.

“Çka nëse kryeministri Kurti nuk e ndryshon pozicionin?”

Tare po shihte kah emisari Escobar në sekondin e parë pas shtrimit të pyetjes. Më pas – derisa heshtja vazhdon – ajo kthen kryet kah emisari Llajçak në sekondin e dytë. E kryet kah Llajçaku e kthen edhe z. Escobar.

Pastaj kalon edhe sekondi i tretë në heshtje, dhe sikleti rritet.

Pastaj edhe sekondi i katërt, dhe sikleti rritet edhe më.

Llajçak ka një shikim të ngrysur por kur ndesh shikimin me znj. Tare, e lëshon një nënqeshje të lehtë.

“Mendoj, hm,” – nis përgjigjen ai.

Të gjithë këtë sekuencë mund ta ndiqni nga minuta 11:02 deri në minutën 11:10.

Përgjigja

“Epo, kur ka vullnet ka gjithnjë një mënyrë… dhe nuk mendoj se eskalimi apo rreziku i dhunës, dhunës së mëtejme, apo edhe i njerëzve që vriten është në interesin e Kurtit. Unë besoj që ai është demokrat, dhe beson në sundimin e ligjit.” – është përgjigja e formuluar nga ai në këtë pyetje.

Më pas, kur pyetet për Vuçiqin, z. Llajçak thotë se asnjëri nuk ka thënë JO asnjëherë dhe se nuk do të thonë jo as për takimin e radhës që pritet të mbahet së shpejti./Nacionale