Sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli, ka reaguar pas arrestimit të fundit të ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj.
Haxholli tha se Serbia nuk arreston, Serbia kidnapon.
“Serbia nuk gjykon, Serbia persekuton. Serbia gënjen, Serbia monton. Serbia vret, Serbia kriminalizon”, tha Haxholli.
Ai theksoi se Serbia nuk ka juridiksion mbi qytetarët e Kosovës.
“Të jemi të qartë, në kontekst të së drejtës së aplikuar dhe praktikave ndërkombëtare, statusi i Hasan Dakaj, i Nezir Mehmetit, dhe i kujtdo që ndalohet dhe arrestohet në Serbi, cilësohet si kidnapim. Serbia nuk ka juridiksion mbi qytetarët e Republikës së Kosovës. Nuk ka pasur kurrë, nuk do të ketë asnjëherë”, theksoi ai.
“Duke qenë kështu, në mungesë të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, kjo e fundit ka për obligim ndërkombëtarë, që për çfardo pretendimi për periudhën e okupimit klasik të Kosovës, qytetarët e ndaluar, lexo: të kidnapuar, në territorin e saj, duhet t’i shoqëroj dhe t’i kthejë në pikat kufitare me Kosovë. E kundërta po ndodh, dhe kjo është abuzim me të drejtën ndërkombëtare”, shtoi sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi transmeton Klankosova.tv