Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u deklarua se konkursi për noterë është në fazën e përzgjedhjes dhe se ky ka qenë proces transparent, derisa sipas saj në të kaluarën kishte pasur ndërhyrje politike.
Kreu i MD-së ka thënë se e kupton që ka mungesë të noterëve, mirëpo zotohet se procesi do të përfundojë në afat sa më të shpejtë.
Haxhiu ka përmendur konkursin e vitit 2019, të cilën e kishte anuluar me ardhjen në krye të këtij dikasteri.
“Çështja e provimit të noterisë, por edhe faza e përzgjedhjes së noterëve, kanë qenë konsideroj një nga proceset më transparente, për të cilat janë kujdesur që të mos ketë asnjë ndikim as nga brenda Ministrisë së Drejtësisë, qysh ka ndodhur në të kaluarën; më kujtohet në vitin 2019, kur i kishin futur duart nga niveli politik deri te zyrtarë civilë”, ka thënë Haxhiu.