Analisti Baton Haxhiu ka bërë me dije se Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq nuk kanë kohë për të humbur.
Në opinionin e tij të radhës në “Albanien Post”, ai ka shkruar se ata të dy nuk kanë kohë për lojë dhe as për të gjetur tradhtarin e radhës.
Sipas tij, kryeministrin i Kosovës dhe presidenti i Serbisë duhet ta nënshkruajnë marrëveshjen më 18 mars.
“Autonomia dhe të drejtat e popullatës nuk bëhen që një territor të shkëputet. Pikërisht, e kundërta është e vërtetë. Autonomia dhe të drejtat bëhen që të krijohen kushtet që të mos ketë shkëputje. Ndaj ka ardhur fundi dhe koha po mbaron për të dy liderët. Nëse nuk duan ta bëjnë, nuk kanë zgjidhje dhe as zgjedhje. Prapë duhet ta bëjnë…”, ka shkruar Haxhiu.
Sipas tij, kornizimi i procesit të normalizimit është përmbyllur.
“Publiku i gjerë në Serbi dhe në Kosovë duhet ta dijë që publikimi i tekstit të marrëveshjes në faqen zyrtare të BE-së, i bërë pas dakordimit të palëve, i cili nuk ka nevojë për diskutime shtesë rreth tekstit, nënkupton që kornizimi i procesit të normalizimit është përmbyllur. Preambula dhe 11 nenet e marrëveshjes, që nga orët e vona të 27 shkurtit, janë edhe zyrtarisht korniza e re e normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar ai.