Haxhijaha i kundërpërgjigjet ShSKUK-së: Oksitocina dhe metilergometrina nuk janë të njëjta

Farmacisti klinik Astrit Haxhijaha i ka reaguar SHSKUK-së duke thënë se oksitocina dhe metilergometrina nuk e kanë funksionin e njëjtë.

Farmacisti klinik, Astrit Haxhijaha, i cili është edhe nënkryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës, i ka reaguar me një koment Shërbimit Spitalor Klinik Universitar në komunikatën për mungesën e metilergometrinës.

SHSKUK doli me një komunikatë pas raportimit të mediave për mungesën e produktit metilergometrinë, duke thënë se pacientet nuk kanë nevojë të shqetësohen sepse në stok kanë një produkt tjetër zëvendësues.

“Në mungesë të produktit metilergometrinë, përdoret oksitocina, e cila ka efekt të njëjtë dhe mbulon nevojat terapeutike, sipas standardeve mjekësore, të cilën ShSKUK e posedon në sasi të mjaftueshme. Përkundër përpjekjeve për të kontraktuar produktin metilergometrinë, SHSKUK edhe pse ka hapur procedurë të rregullt të prokurimit, nuk ka pasur ofertues. Rikthesojmë se oksitocina që përdoret në ShSKUK mbulon plotësisht trajtimin mjekësor në rastet e gjakderdhjeve dhe nuk ka nevojë për shqetësim dhe panik tek pacientet”, thuhet në komunikatën e SHSKUK-së.

Por Haxhijaha ka thënë se këto dy produkte nuk janë të njëjta dhe gjithashtu nuk e kanë funksionin e njëjtë.

“Oksitocina dhe metilergometrina nuk jane t’njejta. Oksitocina perdoret per induksion t’lindjes dhe per parandalim te hemorragjisë postpartale kurse metilergometrina jep kontraksione t’forta dhe perdoret vetem pas lindjes per hemorragji postpartale. Pra e thjesht, oksitocina per lindje dhe parandalim kurse Metilergometrina vetem per hemorragji pas lindjes”, ka shkruar Haxhijaha në komentin e tij.