Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë që nga 1 marsi, pediatria do të funksionojë me vetëm një ndërrim nga ora 07:00, deri në orën 15:00. Kjo për shkak se një pediatre do të dal në pension gjatë këtij muaji. Ndërkaq, si pasojë e mungesës së pediatërve të specializuar dhe në bazë të udhëzimit administrativ, në kuadër të kujdesit parësor shëndetësor, nuk mund të ketë zëvendësime të reja.
Kështu thotë kryeshefi i Departamentit të Mjekësisë Familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Valdet Hashani.
Ai tregon se parashihet që pediatria në QKMF-në e kryeqytetit brenda pak vitesh të mbyllet si njësi, derisa tregon se aktualisht janë tre pediatëra specialistë dhe një shefe e pediatrisë, e që sipas tij, në asnjë rrethanë nuk mund t’i mbulojnë dy ndërrime.
Hashani theksoi se kanë njoftuar që në fillim të vitit, se nga 1 marsi, pediatria do të funksionojë me vetëm një ndërrim.
Ndër të tjera, Hashani potencoi se si pasojë e mungesës së specializimeve nga pediatria dhe në pamundësi për të pranuar pediatërë të ri për shkak të legjislacionit në fuqi, QKMF-ja, do të punojë shtatë ditë të javës me një ndërrim nga ora 07:00, deri në orën 15:00.
Hashani theksoi se shumë shpejtë do të pensionohet edhe dermatologu, internisti dhe reumatologu.
Ai shtoi se ky vendim është marrë që nga viti 2000 dhe është në bazë të librit të verdhë, ku janë bërë politikat shëndetësore të pasluftës, sipas së cilave specializimet të cilat gjenden në kujdes parësor, të vazhdojnë të punojnë aty ku kanë punuar deri në pensionim.
Përveç këtyre, Hashani potencoi se në bazë të rrethanave, pediatria brenda 5-6 vjetëve, do të mbyllet tërësisht si njësi.
Ai potencoi se koncepti i Mjekësisë Familjare duhet të fillojë të implementohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe QKMF-në.