Haradinaj takohet me shefin e inteligjencës së Ukrainës, shpreh dëshirën për lidhje të forta mes dy vendeve

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj është takuar në Kiev me shefin e inteligjencës të Ukrainës, Kyrylo Budanov.

Haradinaj tha se ajo shprehu mbështetjen për luftën e Ukrainës për liri, si dhe shpresat e mëdha të Kosovës për lidhje edhe më të forta miqësie me Ukrainën dhe popullin e saj, njofton Klankosova.tv.

“Takimi me shefin e inteligjencës të Ukrainës, Kyrylo Budanov në Kiev ishte një nder i madh”, ka shkruar Haradinaj në X.

“Më i kërkuari i Putinit dhe shtylla kurrizore e mbrojtjes së Ukrainës, Budanov drejton në mënyrë kolosale operacione efektive të inteligjencës kundër Rusisë”.

“Shpreha mbështetjen tonë të përzemërt për luftën e Ukrainës për liri, si dhe shpresat e mëdha të Kosovës për lidhje edhe më të forta miqësie me Ukrainën dhe popullin e saj”.

“Z. Budanov përgëzoi vendin tonë për përballjen me sukses të ambicieve shkatërruese të Putinit në Ballkan dhe falënderoi Kosovën për solidaritetin dhe mbështetjen ushtarake të ofruar për Ukrainën”.