Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot luftëtarët e Dukagjinit, Arben e Luan Qerimaj, Fetah Selca, Besim Alijaj, Rexhep Tafa dhe Haki Krasniqi.
Haradinaj, në një postim në Facebook, tha se Arben e Luan Qerimaj, u rritën nën frymën patriotike e atdhedashëse, të inspiruar nga familjarët e tyre që ishin gjatë gjithë jetës në luftë me armikun.
“Të gjithë këta bashkëluftëtarë që i kujtuam sot ishin të veçantë, secili në mënyrën e vet. Në përvjetorin e rënies së tyre kujtojmë shpirtin luftarak dhe besnikërinë ndaj shokëve të plagosur. Heroizmi i tyre deri në vetëflijim është dëshmi e nderit të luftëtarit shqiptar”.
Ai ka thënë se derisa nderojnë dëshmorët e luftës çlirimtare, kujtojnë se sa e shtrenjtë është liria.
“Ishte lufta jonë çlirimtare që na solli Aleancën me NATO-n e udhëhequr nga Amerika. Falë sakrificës së luftëtarëve të UÇK-së dhe brezave që kontribuuan ndër vite për Atdheun sot ne gëzojmë shtetin e pavarur dhe Ushtrinë moderne që kryen misione përkrah shteteve aleate të NATO-s, e misionin tonë në sigurimin e lirisë sonë nuk duhet ta ndalim derisa të bëhemi ofrues të sigurisë, si pjesë e NATO-s”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.