Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka hedhur akuza të rënda drejt Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kreu i AAK-së thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës është në mbështetje siç i quan ai, mashtrimeve të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani. “Në shumë situata nuk ka qenë e unifikuar me opozitën dhe ka mbështetur pushtetin”
“(Presidentja Osmani) Është staf i Kurtit dhe të gjithë të tjerët nga Lista Vetëvendosje, Osmani, Konjufca janë staf i Kurtit dhe e përcjellin mashtrimin e Kurtit, janë pjesë e këtij mashtrimi. Për fat të keq edhe një pjesë e opozitës tonë, shihet se LDK-ja është në mbështetje të këtyre mashtrimeve në shumë situata deri më sot, që nga votimi i presidentes pastaj mospërkrahja e mocionit dhe shumë raste edhe kjo prezenca për me i bë një lloj dekori fjalimit vjetor të presidentes, e cila s’pati asnjëherë gjatë gjithë vitit një qëndrim të prerë për të cilëndo çështje të rëndësishme të jetës sonë”, thotë Haradinaj.
Haradinaj mendon se kryeministri Kurti, presidentja Osmani dhe kryeparlamentari Konjufca e kanë pranuar draft-statutin e Asociacionit, ani pse ka elemente shqetësuese brenda tij.
“Dokumenti është shqetësues, ka elemente shqetësuese, meqenëse e ka pranuar qeveria s’ka mbet asnjë filtër tjetër, përpos gjykatës. Sa i përket Konjufcës, presidentes dhe Kurtit ky është një dokument i pranuar”, përfundon Haradinaj.