Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se koalicioni të cilit i prinë, është kthyer në forcë serioze politike.
Haradinaj ka thënë se besimi për Aleancën po rritet e zgjerohet si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës por edhe tek aleatët.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po rritet e forcohet çdo ditë. Koalicioni të cilit i prinë Aleanca është kthyer në forcë serioze politike, me përkrahje e besim të gjerë si brenda Kosovës e diasporë por edhe te aleatët tanë strategjikë”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka qëndruar sot në Klinë në vazhdën e mobilizimit të degëve.
“Në vazhdën e diskutimeve për veprimet konkrete të mobilizimit të saj dhe të shtrirjes e të forcimit të Bashkimit, i cili tashmë e ka krijuar bërthamën e vet me Nismën, Listën Konservatore dhe Forumin Intelektual E-30, Kryesia e Aleancës ka takuar strukturat e saj në Klinë, në një iftar të përbashkët”, ka shtuar Haradinaj.
Haradinaj ka lavdëruar qeverisjen komunale në Klinë të udhëhequr nga kryetari Zenun Elezaj.
“Vizitat nëpër komuna si kjo tek kolegët tanë në Klinë, janë rast i mirë për t’i shprehur mirënjohjen për angazhimin dhe punën e mirë të kryetarit Zenun Elezaj dhe autoriteve tjera komunale në udhëheqjen e qeverisjes lokale në Klinë”, është shprehur Haradinaj.
Sipas Haradinajt, Kosova kurrë nuk ka pasur më shumë nevojë për Aleancën si koncept politik.
“Kosova kurrë nuk ka pasur nevojë më shumë për Aleancën si koncept politik, për të ofruar ndryshimin e nevojshëm. Ta anëtarësojmë Kosovën në NATO për t’i dhënë mundësi zhvillimit dhe mirëqenies”, ka përfunduar Haradinaj.