Kreu i AAK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës ka reaguar ndaj deklarimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se Kosova është aleate e SHBA-së por jo për gjithçka pajtohet me Washingtonin zyrtar.
Haradinaj thotë se kjo është një përpjekje dëshpëruese e Kurtit për të fshehur mospajtimet që ka me amerikanët pikërisht në fushën e sigurisë.
Haradinaj thotë se për sigurinë e Kosovës s’mund të ketë dallime e as mospajtime me partnerët, pasi që siguria e Kosovës dhe e rajonit garantohet vetëm duke qenë të bashkuar me aleatët, në mënyrë të veçantë me SHBA-në dhe duke u bërë pjesë e NATO-s.
Ish-kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosova është aleate sa i përket sigurisë globale dhe një gjë e tillë s’mund të ndryshojë pavarësisht asaj se kush e drejton qeverinë e vendit. Haradinaj ka thënë se ky është jo vetëm përcaktim por orientim i pandryshueshëm i Kosovës.
“E para, Kosova është aleat në çështjet e sigurisë globale dhe kjo nuk mund të ndryshojë asnjëherë, pavarësisht se kush është në krye të qeverisë. Kjo është, jo vetëm përcaktim por edhe orientim i pandryshueshëm i yni.