Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj me rastin e shënimit të Ditës së Mësuesit, ka kërkuar që të bëhet një zgjidhje emergjente për mësimdhënësit.
“Të dashur qytetarë, sot kur po shënojmë Ditën e Mësuesit, shteti duhet t’i kthehet kërkesave që kërkojnë zgjidhje emergjente për mësuesin e Kosovës”, shkroi Haradinaj në Facebook, njofton Klankosova.tv.
Ai parashtroi tri kërkesa, të cilat ishin që vlera e koeficientit të ngritet në së paku 130 euro, të mbetet pika 6 e nenit 8 të Ligjit për skemat pensionale që ua pranon punëtorëve të arsimit ato vite si kontributdhënëse, si dhe të mos ndryshohet përmbajtja e Kontratës individuale të punës e as Ligjet ekzistuese pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sindikatës dhe palëve tjera.
“Kërkesa e parë është që vlera e koeficientit të ngritet në se paku 130 euro, ngase ngritja që bëri qeveria nga 105 në 110 është ironike dhe ka shtuar shumë pakënaqësitë në tërë sektorin e arsimit. Kërkesë e dytë është që të mbetet pika 6 e nenit 8 të Ligjit për skemat pensionale që ua pranon punëtorëve të arsimit ato vite si kontributdhënëse sepse ndryshimet e bëra me ndryshim plotësimin e këtij ligji ua mohojnë këtë të drejtë të fituar. Kërkesa e tretë është të mos ndryshohet përmbajtja e Kontratës individuale të punës e as Ligjet ekzistuese pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sindikatës dhe palëve tjera sepse Qeveria Kurti duke shfrytëzuar numrat në parlament po bën ndryshime në ligje që nuk avansojnë, por mohojnë disa të drejta të fituara e të garantuara me ligjet aktuale”, u shpreh Haradianj.