Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) po ofrohet trajtim modern dhe i vazhdueshëm i insultit iskemik, përmes dy metodave kryesore: trombolizës medikamentoze – tretja e mpiksjes me barna specifike, dhe trombektomisë mekanike – largimi i mpiksjes me metoda endovaskulare.
Sipas Vitisë, stafi mjekësor është trajnuar posaçërisht për këto procedura, duke garantuar cilësi të lartë në ofrimin e shërbimeve për pacientët.
Ai ka theksuar gjithashtu se mjetet për këto trajtime tashmë janë përfshirë në listën esenciale dhe mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë.
Në kuadër të modernizimit, është rregulluar edhe hapësira e repartit sipas standardeve bashkëkohore, ndërsa me investimin në Tomografin 64-shtresor është rritur ndjeshëm cilësia e diagnostikimit jo vetëm të insultit, por edhe të sëmundjeve të tjera neurologjike.
“Ky investim siguron shërbime më moderne, më të sigurta dhe me mundësi më të mëdha shërimi, duke ofruar një cilësi më të mirë jete për pacientët,” ka deklaruar Vitia.