Muhamet Hamiti, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se gjatë qeverisjes VV-GUXO, imazhi i Kosovës është më i keqi në histori të saj.
Këtë pretendim ai e ka bazuar edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit ku thotë se ka “korrupsion serioz qeveritar”, si dhe atë të “Reporterët pa Kufij”, ku Kosova ka shënuar regres sa i përket lirisë së medias.
“Pozita ndërkombëtare e Republikës së Kosovës nuk është përmirësuar, por është përkeqësuar në këto vite të Qeverisë së Vetëvendosjes. Asnjë njohje të re të shtetit tonë nuk e ka siguruar kjo Qeveri diletantësh. Për më tepër, Kosova është nën sanksione ndërkombëtare gati tash e një vit”.
‘Departamenti Amerikan i Shtetit, Freedom House, Reporterët pa Kufij kanë raportuar këto kohët e fundit për korrupsion të rëndë qeveritar, për ndërhyrje në gjyqësor, për shtypje të medias së lirë në Kosovë. Ka kohë që i kemi thënë këto ne. Pushteti i parullës #KREJTdheDREJT s’ka dashur të dëgjojë. Imazhi i Kosovës në botë është më i keqi në historinë moderne të vendit tonë. Ky është ndryshimi që e ka realizuar koalicioni Vetëvendosje-Guxo nën drejtiminin e Albin Kurtit”, ka thënë Hamiti.