Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nuk ka dekretuar Blerim Isufajn, për kryeprokuror të shtetit. Ajo ka theksuar se gjatë kohës së shqyrtimit të ankesave në gjykata, ka marrë mesazhe dhe është kërcënuar.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, duke komentuar këtë deklaratë tha se Osmanit “duhet t’ia lidhin duart sa më shpejt, në qoftë se e ka bërë veten për një gjë të tillë”.
“Ata që i kanë thënë Osmanit, nëse i kanë thënë “që do t’ia lidhin duart”, atëherë nëse presidentja e ka bërë veten t’ia lidhin duart, duhet sa më shpejt t’ia lidhin. Por, në qoftë se Osmani e di kush i ka thënë ashtu, duhet ta denoncojë menjëherë dhe pastaj të lidhen ata. Nëse ka aktakuzë kundër Osmanit diku që ka shkelur ligjin e kushtetutën, ose ka bërë vepër për të shkuar në burg, atëherë pse duhet ta ruajnë. Nëse nuk ka, e inkurajoj Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Kosovës, që me urgjencë ata që kanë kërcënuar presidenten, duhet t’i arrestojnë”, potencoi Haliti ne teve1.
Andaj, Haliti vlerësoi që Osmani nuk ka nevojë të frikësohet dhe të mbajë asgjë fshehur nga publiku.
Kujtojmë që Osmanit iu desh të priste një vit e gjysmë për ta marrë këtë vendim.
Ajo ka thënë se janë evidentuar dhjetë shkelje në procedurën e përzgjedhjes dhe se asnjëra gjykatë s’i ka trajtuar ankesat në aspektin përmbajtjesor.
Teksa, vendimin dhe deklaratat e presidentes për mos dekretim të Isufajt, Këshilli Prokurorial përmes një komunikate i ka quajtur tendencioze dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sistemin prokurorial.