Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi ka kritikuar qeverinë për mos reagim ndaj grevës së minatorëve të Trepçës.
Në një reagim në Facebook, ajo ka thënë që edhe gjendja e rënduar e tyre shëndetësore “nuk po ia zbut zemrën Albin Kurtit”.
“Braktisja shtetërore s’mund të ishte më e vrazhdë, përbuzja institucionale s’mund të ishte më dëshpëruese; politika s’mund të shkojë më larg se kaq matanë njerëzores“, ka shkruar Halimi.
“Thirrjet e minatorëve nga nëntoka për dinjitet e kushte minimale të punës janë gjithmonë të drejta“, ka shkruar ajo.