Me gjithë deklarimet dhe përplasjet me zyrtarët e Bashkimin Evropian për çështjen e dinarit, Kosova do të marrë pjesë në takimin e thirrur për këtë çështje.
Në takimin për dialogun siç i referohet BE, nuk do të shkojë Kryenegociatori Besnik Bislimi, por aty Kosova do të përfaqësohet nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili. RTK ka marr vesh brenda BQK-së se Ismaili i është përgjigjur pozitivisht ftesës së dërguar nga Bashkimi Evropian dhe ka udhëtuar për në kryeqytetin evropian.
“Ajo që mund të them është se do të ketë një takim nesër. Mbledhja e nesërme e dialogut do të fokusohet në zgjidhjet e shumë pyetjeve të hapura lidhur me vendimin e fundit për operimin me para të gatshme nga Banka Qendrore e Kosovës. Do të fillojë në mëngjes dhe do ta ndjekë formatin e zakonshëm të dialogut. Dhe të dyja palët, me sa di unë, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen”, tha Nabila Massrali, zëdhënëse e BE.
Ndërkaq edhe pse e konfirmojnë takimin nga Banka Qendrore e Kosovës njoftojnë se takimi në Bruksel do të jetë informues. Sipas përgjigjes së tyre, zyrtarë e BQK-së kanë qenë të hapur për të lehtësuar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve në euro.
“Në këtë kuptim, BQK edhe u përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç ka bërë vazhdimisht edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Ndryshe zëvendëskryeministri Bislimi e kishte refuzuar ftesën e BE-së dhe kishte akuzuar ndërmjetësuesin Lajçak për shkelje të parimeve që vetë i kishte vendosur, duke caktuar temë pa pajtim paraprak. Por, zëdhënësi i BE-së Peter Stano kishte thënë se ftesa i është dërguar Qeverisë së Kosovës dhe se ata do të vendosin kë do ta dërgojnë në Bruksel.