​Guri i Nënës Pashke dhe lokali “Panda” bëhen pjesë e trashëgimisë kulturore

Guri i Nënës Pashke, Spitali ushtarak i Gradicës, Përmendorja e Minatorëve, lokali “Panda” në Pejë, Xhamia e Sfircës, Varri i Don Mikel Tarabulluzit, afreskat romake të Dresnikut, pasurojnë listën e trashëgimisë kulturore. Kështu ka njoftuar kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Ai ka thënë se kujtimi për vetëflijimin e Nënës Pashke dhe guri që simbolizon aktin e saj do të jenë në përkujdesje shtetërore.

“Përfshirja në listën e trashëgimisë kulturore, në kategorinë ‘shpirtërore’ ishte hap i domosdoshëm drejt zgjidhjes përfundimtare për Gurin përkujtimor të Nënës Pashke. Më të mirin rrëfim për Pashke Krasniqi Markaj deri sot e ka bërë shkrimtari ynë Ag Apolloni në dokuromanin e tij ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se listës së trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme i shtohen edhe 23 asete të reja.

“Më 14 dhjetor 1998 në lokalin “Panda” në Pejë, shërbimet serbe ekzekutuan gjashtë të rinj serbë për të akuzuar rrejshëm UÇK-në si fajtore, në përpjekjen e regjimit të Millosheviqit për të justifikuar gjenocidin që po ngjante në Kosovë. Përveç si kujtesë historike, mbrojtja me ligj të shtetit e këtij lokali vjen edhe si alarm dhe thirrje për vigjilencë karshi mendësisë së pandryshuar politike të Serbisë në raport me shqiptarët dhe Kosovën”, ka shkruar Kurti.