Grushtet në Kuvend mbesin pa aktakuzë, flasin nga Prokuroria: Po hetojmë ende

Më 13 korrik në Kuvendin e Kosovës pati një rrahje masive ku ishin të përfshirë kabineti qeveritar e deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë thënë për Lajmi.net se janë drejt finalizimit të hetimeve.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, ka thënë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me këtë rast.

“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se aktualisht duke u ndërmarrë veprimet hetimore lidhur me këtë rast, dhe meqenëse janë drejt finalizimit të tyre do t’iu njoftojmë me kohë për epilogun përfundimtar”, ka thënë Ulaj për Lajmi.net.

Pas rrahjes nga prokuroria ishin intervistuar, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ndërsa edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, kishte njoftuar se ka marrë ftesë për intervistim si i dyshuar për veprën penale “sulm”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte njoftuar se lidhur me rastin e ndodhur në Kuvend, ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Sulmi”, sipas KPRK-së, si dhe ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Sulmi”, sipas KPRK-së, lidhur me incidentin i cili ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, si dhe ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast. Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, do t’i ndërmerre të gjitha veprimet konform dispozitave ligjore të KPPRK-së, deri në sqarimin e plotë të çështjes në fjalë”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.