Një ditë pas incidentit në Komunën e Prishtinës ku mbeti i lënduar kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, janë publikuar edhe pamjet e momentit.
Gazeta ‘Reporteri’ ka publikuar të enjten pamjet nga incidenti që ndodhi pas mbarimit të seancës ku u tentua të votohej buxheti i kryeqytetit.
Të përfshirë në këtë incident janë asamblisti i LDK-së, Sami Salihu, kryesuesi i Kuvendit, Fehmi Kupina dhe djali i tij.
Policia e Kosovës kishte njoftuar dje se tre persona ishin shoqëruar në polici pas incidentit në Komunë.
“Sot rreth orës 10:30 është pranuar informata për një rrahje në rrugën “UÇK” në Prishtinë. Me të marrë informatën policia, ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar 3 persona, të cilët ishin përfshirë në rast. Aktualisht policia po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen”, thuhej në njoftimin e PK-së.