Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.
Një rast i tillë është denoncuar gjatë ditës së djeshme në Polici nga një grua nga Malisheva, e cila e ka raportuar bashkëshortin e saj.
Sinjali mëson se viktima ka deklaruar se i dyshuari e ka sulmuar fizikisht pas një konflikti verbal që kanë pasur mes vete, teksa ndodheshin në shtëpinë e tyre.
Bazuar në dëshminë e gruas, burri i saj e ka tradhtuar me disa burra, duke shkaktuar kështu edhe sherre në raportin e tyre.
Përballë kësaj situate, viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer mosmarrëveshjet me bashkëshortin.
Si rezultat i raportimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku gjatë intervistimit i ka mohuar akuzat e gruas.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.